(28) Kiko demaskon spiunin çek

schedule11:16 - 30 Tetor, 2022

schedule 11:16 - 30 Tetor, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi se një turist çek u kap në perimetrin e repartit ushtarak 6640 që shërben dhe si agjencia e sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit të forcave të armatosura, e bëri Kikon me dhimbje koke.

Pas kapjes së kinezëve në Fier, rusëve në Gramsh, zbarkimi me parashutë i një qytetari çek, pas arrestimit të katër çekëve në Poliçan për spiunazh, e bëri Kikon të mendoj se ky vend bart shumë sekrete dhe se hakerat iranianë megjithëse kanë marrë çfarë kanë dashur kanë lënë punë edhe agjentët e tjerë.

Si fillim Kiko mori në analizë komunikatën zyrtare të cilën vendosi ta lexoj mes rreshtash.

“Ai fluturoi me një parashutë mbi repartin ushtarak 6640 duke alarmuar stafin e qendrës së ndërlidhjes në Tiranë, në zonën e njohur si “rrapi i treshit”.
Desanti ajror çek u ul thuajse në brendësi të infrastrukturës ushtarake dhe më pas u ndalua edhe nga policia që mbërriti me urgjencë në vendngjarje.”

Reparti 6640? Mesa di unë Shqipëria ka vetëm 10 mijë pjesëtarë në Forcat e Armatosura, si i bie kështu ka 1.5 ushtarë për repart?

Ndërsa bënte këto llogaritje dhe përpiqej të kuptonte çfarë do të thoshte “rrapi i treshit”, ndërmend i erdhi kënga shumë e njohur:

“Po pyet bota për Shqipninë
Sa të madhe e ka ushtrinë”
Kiko dha porosi që fotot në aparatin e të ashtuquajturit turist çek të ballafaqoheshin me listën e inventarit të repartit 6640.
Lista e repartit 6640:
-Parrulla në murin e depos së armatimit “Çdo ushtar, qytetar dhe çdo qytetar, ushtar”
– Parrulla në kodrën përbri: “ç’thotë Partia bën populli, çfarë do populli bën partia”
-Parulla te fasada e Komandës: “Ushtria jonë përballon një sulm simultan të Natos dhe Traktatit të Varshavë”
-Një kamion Tatra me targa UP(Ushtria Popullore).
-Një kamion ZIL ne tako. Pa rrota dhe pa motor.
-Një Aro rumune me antenë 2 metra e 75 cm.
-75 gaveta te prodhimit sovjetik dhe 23 gaveta te prodhimit kinez.
-Draftin e autokritikës së Niko Peleshit për tezat blu në ushtri.
-Draftin e fjalës se KM për pastrimin me fshesë të hekurt të veprimtarise antinato të spiunëve, hijenave dhe non gratave
-Nje motor në graso të një avioni Mig 19.
-Konserva sardelesh te kombinatit Ernest Telman, Vlorë.
-7 buste allçie të komandantit të pergjithshem gjen kol Enver Hoxha.
-121 tabela qitje me posterin e Hrushovit, Titos dhe Niksonit.
-1 mije stanokë me pishë nga pyjet e Lajthizës, Pukë.
-17 libra “Ushtari i mirë Shvejk”
-109 audiokaseta me këngë të Ansamblit të ushtrisë
-56 videokaseta të Estrades së Ushtarit.
-3 skaldobanja me vajguri.
-5 wc fushore kompensate pa dyer stilit alpin.
-Një mozaik me yll të kuq, cepi i pestë i hequr për t’u dukur si yll katërcepësh i Natos

Në përfundim të inventarit Kiko la porosi për grupin hetimor që të shohë çfarë lidhje ka mes agjentëve rusë dhe ukrainas në Gramsh, çekëve në Malin e Dajtit, Kinezëve në Fier dhe polakëve në repartin N. Në kushtet e reja gjeopolitike nuk duhet të mendoni vetëm për Traktatin e Varshavës. Dyshoj se këto lëvizje kanë lidhje me primaret që po zhvillon opozita dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
Gjithashtu Kiko evidentoi faktin se Forcat Vullnetare ne Tufine nuk kane qene ne lartesine e detyres, por ne gjume.
Si ndëshkim për Kiko i rekomandoi hetuese që çeku i kapur në perimetrin e repartit 6640 të rilexojë Shvejkun.
Jarosllav Hasheku, autori i Shvjekut, ishte dhe do të mbetet diletant përballë gallatës këtu- përfundoi shënimet e tij Kiko Majmuni.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!