Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

2500 KG mbi trup, kundër çdo kufiri njerëzor. Bujar Muli, ‘Herkuli Shqiptar’ sfidon botën dhe historinë

schedule10:44 - 9 Shkurt, 2026

schedule 10:44 - 9 Shkurt, 2026

Nga mungesa e mbështetjes deri tek sfida për t’u bërë njeriu më i fuqishëm në planet, historia e Bujar Mulit është rrëfimi i një force që nuk matet vetëm me kilogramë, por me vullnet, sakrificë dhe besim të palëkundur.

Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, sportisti rekordmen zbuloi detaje nga sfida e radhës që synon të hyjë në histori. Juria e Guinness tashmë ka zbritur në Kosovë, ku po përgatitet tentativa për të thyer rekordin ekstrem: mbajtja mbi trup e një peshe nga 2000 deri në 2500 kilogramë.

“Kur kërkova ndihmë financiare për të sjellë jurinë e Guinness në Kosovë, të gjithë heshtën. Sot juria është këtu dhe rekordi do të tentohet,” u shpreh ai, duke treguar se rruga drejt këtij momenti nuk ka qenë aspak e lehtë.



Data 18 korrik 2026 pritet të jetë momenti i madh. Muli shprehet i vendosur të shtyjë kufijtë e trupit njerëzor aty ku, sipas tij, askush nuk ka shkelur më parë. Për të, kjo nuk është vetëm një garë fizike, por një betejë personale për të arritur atë që mendon se i takon pas viteve të punës dhe sakrificës.

I quajtur shpesh “Hulku” ose “Herkuli Shqiptar”, ai ka hyrë tashmë në librin Guinness pasi arriti të mbajë mbi trup 1,531 kilogramë, një arritje që e vendosi mes njerëzve më të fuqishëm në botë.

Rrënjët e kësaj force nisin herët. Që në moshën 13-vjeçare ai ngrinte thasë me miell, ndërsa vitet e gjata të stërvitjes, mundit dhe djersës ndërtuan bazën e një karriere të jashtëzakonshme.

“Mbajtja e një peshe të tillë dhe fitorja më dhurojnë një ndjesi shumë të mirë. Kjo ka ardhur pas një pune të madhe dhe një sakrifice të gjatë,”  tregon ai.

Edhe pse pranon se nuk ka pasur gjithmonë përkrahjen që priste, pasioni e ka çuar deri në këtë pikë. Sot ai deklaron me besim se asgjë nuk mund ta ndalë në rrugën drejt qëllimeve të tij, duke falënderuar Zotin për forcën dhe mundësinë që ka sot. Mesazhi i tij për publikun është i thjeshtë dhe i fortë: të ndjekin rrugëtimin e tij drejt rekordit të radhës Guinness dhe të besojnë se kufijtë ekzistojnë vetëm për t’u thyer.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!