“25 prilli” përplas PS-PD, Alibeaj: Strategji për të penguar hetimet, Gogu: Jo furtuna në gota foltoresh

schedule16:08 - 20 Tetor, 2021

schedule 16:08 - 20 Tetor, 2021

Një bojkot të befasishëm dhe pa arsye e ka quajtur kryetari i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit Enkelejd Alibeaj braktisjen e mbledhjes së sotme nga ana e PS. Në një prononcim për media Alibeaj tha se kjo sipas tij është një strategji e qartë për të penguar veprimtarinë e hetimit të “masakrës zgjedhore” të 25 prillit. Kryetari i Komisionit shtoi se ndonëse sot ishte caktuar mbledhja me dakordësi nga opozita dhe PS-ja, kjo e fundit sipas tij nuk u paraqit në sallë me arsyetimin se sot ishte java e gjelbër e Kuvendit dhe kishin vendosur që ta bënin pushim. Duke  folur para mediave Alibeaj tha se nëse anetarët e Komisionit bojkotojnë përsëri mbledhjet do të kërkohet zëvendësimi i tyre.

Kërkuan kohë për tu përgatitur dhe konsultuar për mbledhjen e sotme me qëllim njohjen e rregullores dhe sjelljen e amendamenteve të kësaj rregulloreje. Në konsultim me zv. kryetarin Toni Gogu i kam komunikuar që mbledhja pasardhëse do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00, që u dakordua në mbledhjen e parë, e kërkuar prej tyre.  Në orën 15:00 anëtarët u paraqitën në sallën e byros të ndodhur para një befasie të pakëndshme, një bojkot total i të gjithë anëtarëve të maxhorancës. Duket qartë që nuk kishte asnjë arsye. Arsyeja ishte që meqë jemi në javën e gjelbër të Kuvendit, sot po e marrim pushim dhe caktojmë një datë tjetër.

Nuk e prisja të ndodhte që në mbledhjen e parë duke ditur dhe përgjërimet për shtrirje dore dhe rikthimin e veprimatarisë në parlament. Ajo që ndodh është bojkot i parlamentit. Rama ka vjedhur mandatet dhe po bën gjithçka të pengojë daljen e të vërtetës. Ne do ndjekim të gjitha hapat. Jam i vendosur që deri në fund që mungoset pa arsye 3 herë janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e tyre. Dua tu njoftoj se mbledhja tjetër e caktuar, do të jetë të premten ora 10. Është ditë pune ku të gjithë ne të kryejmë detyrimin ndaj kushtetutës. Dritë dhe transparencë për atë qëndodhi në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Alibeaj.

Pas deklaratës së Alibeajt, vjen një reagim nga nënkryetarit të komisionit hetimor për zgjdhjet e 25 prillit Toni Gogu. Përfaqësues i maxhorancës thekson se Alibeaj ka vazhduar me shkeljen e rregullores. Sipas Gogut, në mirëbesim iu ishte propozuar kolegeve të opozitës që t’a vazhdonin mbledhjen ditën e enjte, ndërsa bën apel për komunikim duke shmangur sipas tij “furtuna në gota foltoresh”.

Me keqardhje vura re sot sesi Zoti Alibeaj ka vazhduar shkeljen rregullores se Kuvendit dhe mirebesimit mes paleve. Përcaktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit ishte pika e fundit në rendin e ditës dhe nevojitej të votohej nga Komisioni. Në kushtet e pamundësisë së votimit nga Komisioni të kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakortësuar, ndërkohë që kemi planifikuar aktivitete në zonat elektorale, u kemi propozuar kolegeve te opozites t’a vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte. Në frymën e bashkrendimit të punëve dhe shërbimit në mënyrën me dinjitoze interesit qytetar, lipset që te komunkojmë, të debatojmë, e te vendosim sebashku ne frymen dhe germen e ligjit dhe jo të krijojmë furtuna në gota foltoresh”, thotë Gogu.

Lidhur me akuzat e opozitës ka ardhur një reagim nga Kryesia e Kuvendit e cila thotë se mbledhja nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kourumit të nevojshëm. Mesohet se mbledhja e radhës do te mbahet pasnesër. be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!