OSBE-ODIHR ka publikuar sot raportin paraprak të vlerësimit të nevojave për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që janë në prag. Për të ndjekur procesin në Shqipëri do të vijnë 24 vëzhgues afatgjatë si dhe 250 vëzhgues afatshkurtër për ditën e procesit të votimit dhe numërimit në të gjithë vendin.

Në raport theksohet se është me rëndësi një mision vëzhgimi i plotë në të gjithë vendin për të kontrolluar zbatimin e rishikuar të ligjit, përfshirë identifikimin biometrik të votuesve, si do të zbatohet në praktikë.

Në dokumentin e publikuar nga ODIHR evidentohet shqetësimi i ngritur nga opozita për vëzhgimin e periudhës parazgjedhore por edhe përdorimin e burimeve shtetërore.
“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore siguruan se do të merren të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor transparent. Bashkëbiseduesit e tjerë vunë një theks të veçantë në vëzhgimin e periudhës parazgjedhore, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore.
Një numër aspektesh do të meritonin vëmendje të veçantë, përfshirë punën e administratës zgjedhore, identifikimin biometrik të votuesve, fushatën dhe mbulimin e saj nga media, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve, veçanërisht në rrethanat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19″ thuhet në raport./ db/ Abcnews.al

