25 milionë euro për identifikimin elektronik, KQZ po pret përgjigje nga 22 kompani të tjera

schedule16:02 - 18 Nëntor, 2020

schedule 16:02 - 18 Nëntor, 2020

Nga Esiona Konomi

Identifikimi elektronik i votuesve mund të na kushtojë sa 3 fishi i parave që na duhen për një palë zgjedhje normale. 6 nga 22 kompanitë që i janë përgjigjur interesimit të KQZ-së për këtë shërbim kërkojnë rreth 25 milionë euro, ndërsa qeveria ka parashikuar për 25 prillin, 8.2 mln euro pa përfshirë teknologjinë.

KQZ do t’i blejë këto pajisje për 5 mijë qendra votimi, dhe në cmim përfshihet edhe instalimi i makinerive, bashkë më trajnimin e stafit zgjedhor për t’i përdorur ato.

Cmimi më i lartë i ofruar i përket kompanisë CIELA  24.5 mln euro, ndërsa oferta më e lirë vjen nga DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM me rreth 13 milionë euro.

E vetmja kompani shqiptare e përfshirë, TCN kërkon nga 14-17 mln euro për ta kryer këtë shërbim.

KQZ është duke pritur dhe përgjigjet e 16 kompanive të tjera që janë kontaktuar, në mënyrë që të nxjerrë një çmim mesatar, dhe këtë vlerë t’ja kërkojë qeverisë ta financojë.

Përvec identifkimit biometrik, KQZ ka kontaktuar 6 kompani edhe për votimin dhe numërimin elektronik, që do të eksperimentohet në dy qarqe të vendit.

Kjo do të jetë një kosto shtesë veç shpenzimeve të përgjithshme të zgjedhjeve me 8.2 milionë euro, dhe kostos për identifikimin.

Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje ishte kërkesë e opozitës në Këshillin Politik dhe u përfshi në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit. Ajo synon të shmangë votimin familjar apo votimin në emër të dikujt tjetër.

Kompanitë që deri më tani i janë përgjigjur KQZ-së, mendojnë se koha deri në 25 prill mjafton për të shtrirë teknologjinë, me përjashtim të njërës kompani që kërkon të paktën 10 muaj kohë për këtë proces. /abcnews.al