Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e përcakton arsimin si një të drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se e shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit për paqen dhe zhvillimin.
Arsimi si një e drejtë njerëzore është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata kërkon arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.
Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe të bëjnë matematikën bazë; më pak se 40% e vajzave në Afrikën Subsahariane përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe rreth katër milionë fëmijë dhe të rinj refugjatë janë jashtë institucioneve të arsimit.
OKB thotë se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe në thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.


