(23) Kiko: Dorëhiquni nga dorëheqja!

schedule20:36 - 19 Tetor, 2022

schedule 20:36 - 19 Tetor, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi se ministrja e Brendshme kishte dhënë dorëheqjen vetëm 43 ditë pas marrjes së detyrës e tronditi aq shumë Kikon sa shprehja: “Mos ma bëj surratin si majmun” duket se kishte dalë vetëm për këtë rast.

Arsyeja e dorëheqjes: Ministrja i kishte dërguar një material zyrtar një kolegu deputet nga adresa private e emailit. Me të kuptuar gabimin kishte njoftuar autoritetet dhe menjëherë dha dorëheqjen nga detyra.

O Zot i madh! Habitem se si këto anglezët kanë patur nën hyqëm gjysmën e botës me këto veprime prej fëmijësh.

Kiko, ndërkohë që po hante një picë capricioza, vendosi menjëherë t’i shkruajë një letër ish – Ministres së Brendshme kapriçioze.
E nderuar zonja Suella Braverman,

Jam thellësisht i indinjuar nga dorëheqja që ju keni dhënë sot për shkak të një emaili. Ky veprim më duket më i rëndë se votimi referendar pro Brex-it në qershor të vitit 2016.
Si mund të jepet dorëheqja për një email?
Në vendin ku unë kam nderin të jetoj prej vitesh, ka një praktikë të konsoliduar sa i përket çështjeve të dorëheqjeve dhe të ashtuquajturve skandale.

E para, dorëheqja jepet kur ta kërkojnë. Këtu për shembull gjenden mënyrat për të njoftuar zyrtarin se “ka dhënë dorëheqjen dhe dorëheqja është pranuar”.

E dyta, nuk është në kopetencën tuaj e nderuar zonjë të shkruani ju tekstin e dorëheqjes. Si rregull këtu, tekstin e dorëheqjes e shkruan shefi. Detyra e të dorëhequrit është të shkruajë letrën e falënderimit për shefin.

E treta, që ka të bëjë edhe me thelbin e çështjes. Si mund të jepet dorëheqje për një email? Këtu emailet e të gjithëve kanë përfunduar në telegramin e hakerave, këtu shteti digjital është vënë në shitje për 100 dollarë dhe jo vetëm që nuk ka dorëheqje, por as që i ka shkuar ndërmend njeriu për këtë gjë.

E katërta: Nuk mund të quhet skandal, siç e vetëquani ju një gabim, madje nuk është as gabim. Ka rregulla se çfarë quhet skandal. Si mund të jetë skandal një veprim që nuk ka asnjë efekt financiar?! Zero. Si mund të jetë skandal një veprim që nuk lënduar askënd?! Si mund të jetë skandal një veprim që nuk ka shkelje ligji?! Ju lutem zonjë! Me këtë veprim po krijoni konfuzion në opinionin publik.

E pesta: Edhe nëse krijohet ndonjë skandal, se njerëz të gjallë jeni- nuk ka pse të jepet dorëheqje. Këtu, në këtë vend të vogël për gjëra shumë të mëdha përgjigja është e gatshme: “Ja kemi lënë në dorë drejtësisë”. “Ta lemë drejtësinë të flasë” etj etj. Dhe Drejtësia këtu flet dhe thotë: “Është çështje e komplikuar dhe po hetohet”. Nuk ju falet ky nxitim sepse ju zonjë keni qenë edhe Prokurore e Përgjithshme në vendin tuaj të nderuar.

E gjashta: çështja juaj e nderuar zonjë, është vërtet shumë e komplikuar se këtu në vendin tonë, askush nuk do ta kuptojë se pse keni dhënë dorëheqjen. Dhe me këtë veprim të pakuptueshëm ju i hapni rrugë teorive konspirative. Sikundër e dini, për çështje të komplikuara teoritë konspirative japin shpjegime të thjeshta.

E shtata dhe më e rëndësishmja. Si mund të jepni dorëheqjen në një kohë që lufta në Ukrainë është kulmin e vet. Si mund të jepni dorëheqjen kur dimri që na pret nuk dihet sa dimër do të jetë?

E teta dhe e fundit: Unë po ju shkruaj i shqetësuar, jo për fatin tuaj se një njeri që ka studiuar në Sorbonë, që ka qenë këshilltare e Madhërisë së Saj që ka qenë edhe Prokurore e Përgjithshme, nuk besoj se nuk ka të ardhme. Por unë kam frikë se shembulli juaj mund të ndiqet edhe këtu në Shqipëri dhe nuk do të mbetet njeri nëpër zyra. Në kushtet kur shteti digjital e kanë në dorë hakerat kjo do të ishte më shumë se tragjedi.,

Më vjen keq që jam kaq i drejtpërdrejtë, por jeni treguar krejt e papërgjegjshme

Në fund ju bëj thirrje të dorëhiqeni nga dorëheqja sa nuk është vonë.

Në rast të kundërt do të detyrohem t’u bëj thirrje djemve të Hasit dhe të Kukësit që të ushtrojnë ndikim pozitiv që ju e nderuara zonjë të merrni në konsideratë dorëheqjen nga dorëheqja

Pa respekt për ju
Kiko Majmuni (K. M)
Dora vetë.
Post scriptum:
Jam i gatshëm të vij me gomone në Angli dhe të të bind për vërtetësinë dhe zemërmirësinë e fjalëve të mia.