20-vjetori i bombardimeve, Stoltenberg: Ndërhyrja e NATO-s, e arsyeshme

schedule23:15 - 26 Mars, 2019

schedule 23:15 - 26 Mars, 2019

Jens Stoltenberg ka mbrojtur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi 20 vjet më parë, duke e cilësuar të arsyeshëm. Numri një i Aleancës ka nënvizuar se ajo nuk duhet ta pengojë bashkëpunimin NATO-Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake e Aleancës në Jugosllavi në vitin 1999 ishte e arsyeshme. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, Stoltenberg ka thënë se, ndërhyrja nuk ishte drejtuar kundër popullsisë civile të federatës së atëhershme jugosllave.

“Roli i ndërhyrjes ushtarake ishte për të mbrojtur civilët në të gjithë rajonin”, ka thënë Stoltenberg. Ai ka nënvizuar se e kaluara nuk duhet harruar, por ka shtuar se ajo nuk duhet të bëhet pengesë që sot NATO dhe Serbia të jenë partnerë.

“Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por mund të vazhdojmë të ecim përpara dhe kjo është ajo çfarë po bëjnë NATO dhe Serbia si partnerë”, ka vijuar Stoltenberg. Më i prerë në qëndrimin e tij ka qenë ministri i Jashtëm gjerman, Hajko Mas, i cili ka deklaruar se ndërhyrja e NATO-s ishte një vendim i drejtë.

“Ndërhyrja erdhi pasi pamë një dhunim masiv të të drejtave të njeriut dhe vrasje në masë”, ka deklaruar Mas, i cili ka mbrojtur edhe vendimin e Gjermanisë për të ndërhyrë. “Nuk mund ta imagjinoj çfarë do të kishte ndodhur atje nëse nuk do të kishte pasu ndërhyrje”, ka shtuar shefi i diplomacisë gjermanë për të përditshmen “SHTUGARTER CAJTUNG”.

Bombardimet e NATO-s i dhanë fund fushatës së spastrimit etnik të nisur nga regjimi i Sllobodan Millosheviç. Ato zgjatën 78 ditë dhe në to morën pjesë 19 vende anëtare të Aleancës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!