20 vjet nga 11 shtatori dhe hija e luftës në Afganistan

schedule22:00 - 11 Shtator, 2021

schedule 22:00 - 11 Shtator, 2021

Miliona njerëz shënuan të shtunën 20 vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar viktimat, nderuar heronjtë dhe nënvizuar pasojat e dhënies fund disa javë më parë të luftës së përgjakshme në Afganistan, e cila filloi si reagim i sulmeve terroriste.

Ceremonia në epiqendrën e sulmeve në Nju Jork filloi saktësisht dy dekada pasi sulmi terrorist, më vdekjeprurësi në Shtetet e Bashkuara, kreu goditjen e parë në njërën prej kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë.

“Të jepte ndjesinë sikur një fantazmë e keqe kishte zbritur mbi botën tonë, por ishte gjithashtu një kohë kur shumë njerëz reaguan përtej së zakonshmes”, tha Mike Low, vajza e të cilit ishte stjuardesë në aeroplanin e parë të rrëmbyer nga terroristët.

“Ndërsa kanë kaluar 20 vjet, unë gjej shpresë duke vlerësuar të gjitha ata që u ngritën mbi të zakonshmen”, tha ai para të pranishmëve mes tyre Presidenti Joe Biden dhe ish-Presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton.

Përvjetori u shënua nën hijen e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, i cili tani sundohet nga i njëjti grup militant taleban që strehoi terroristët, përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit.

“Është e vështirë sepse shpresonim se do të ishte një kohë dhe botë tjetër. Por ndonjëherë historia fillon të përsëritet dhe jo në mënyrat më të mira”, tha Thea Trinidad, e cila humbi babanë e saj në sulmet terroriste.

Pas ceremonisë në Nju Jork, Presidenti Biden nderoi viktimat nga sulmet terroriste në Pentagon dhe në Shanksville të Pensilvanisë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 shkaktuan afro 3,000 viktima./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!