Nga Eduard Zaloshnja
Katër politikanët kryesorë kombëtarë janë kërleshur ashpër ditët e fundit në mejdanin publik arbëror. Dhe i natyrshëm është kurioziteti për të ditur se çfarë efekti ka patur kjo kërleshje tek opinioni i zgjedhësve që i kanë votuar ata para 21 muajsh.
Një sondazh elektronik kombëtar që zhvillova sot i jep një përgjigje të përafërt pyetjes së mësipërme. Gjithsej 1134 pjesëmarrës krejt të rastësishëm të zgjedhjeve të prillit 2021 e plotësuan pyetësorin elektronik – mëse mjaftueshëm për të bërë llogaritje statistikisht të besueshme në nivel kombëtar.
Rreth 42.6% e pjesëmarrësve të zgjedhjeve të fundit parlamentare preferojnë Ramën ndër katër politikanët kryesorë kombëtarë (PS-ja mori 48.7% të votave më 2021); 26.2% preferojnë Berishën (PD-An mori 39.4% të votave më 2021); 6.1% preferojnë Alibeajn (PD-An mori 39.4% të votave më 2021); 5.1% preferojnë Metën (LSI mori 6.8% të votave më 2021); dhe 20% nuk preferojnë asnjë nga këta katër politikanë (partitë e tjera të vogla morën 5.1% të votave më 2021).
Krahasuar me një sondazh të ngjashëm që zhvillova më 7 janar, kuotat e Ramës dhe të Berishës kanë pësuar rënie statistikisht domethënëse, ndërsa kuotat e Alibeajt dhe Metës kanë shënuar një rritje të lehtë (shihni tabelën shoqëruese).
Nga përvoja e gjatë me sondazhet e opinionit publik, kam vërejtur se sa më shumë kërleshje bëjnë politikanët kryesorë mes tyre në mejdanin publik, aq më e madhe është përqindja e zgjedhësve që s’preferojnë asnjërin prej tyre. Ndërsa kur afron data e votimit, votuesit e thjeshtë mbështillen tek sinorët e tyre tradicionalë elektoralë…
SHQIPTARËT QË VOTUAN NË PRILL 2021 | ||||
Kë preferojnë sot | Për kë votuan në prill 2021 | |||
27 janar | 7 janar | |||
Ramën | 42.6% | 47.1% | PS | 48.7% |
Berishën | 26.2% | 29.8% | PD-An | 39.4% |
Alibeajn | 6.1% | 5.7% | ||
Metën | 5.1% | 4.3% | LSI | 6.8% |