2 mijë € ryshfet për të përfituar nga Rindërtimi, SPAK kërkon masë sigurie për të arrestuarit

schedule10:15 - 5 Nëntor, 2021

schedule 10:15 - 5 Nëntor, 2021

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar sot masa sigurie për 5 persona.

SPAK bënë të ditur se është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për personat nën hetim A. M. dhe F. H.  të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Në “arrest në shtëpi” është kërkuar të qëndrojë K. K. me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërkohë nën hetim është edhe S. K.

Sipas SPAK nga hetimet e zhvilluara rezulton se A.M. dhe F. H. në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Njoftimi i policisë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve në lidhje me procedimin penal nr. 154, të vitit 2020 ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin nr. 92, datë 04.11.2021 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues:

“Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personat nën hetim A.M. dhe F. H, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe i dytë i Kodit Penal; si dhe për personin nën hetim Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal

“Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.K. me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, parashikuar nga nenet 234 dhe 240/1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim S. K.

Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se personat nën hetim A. M. dhe F. H., në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë. Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit. Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.
Të gjitha masat e sigurimit u ekzekutuan sot nga strukturat e Policisë së Shtetit.

./abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!