176 të vdekur, takimi Merkel-Putin në Moskë, kancelarja: Rrëzimi i avionit duhet zbardhur deri në fund

schedule21:44 - 11 Janar, 2020

schedule 21:44 - 11 Janar, 2020

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua të shtunën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin teksa tensionet në Lindjen e Afërt janë në rritje. Kjo vizitë, e para në Rusi prej Majit 2018, vjen teksa Irani pranoi se ka rrëzuar aksidentalisht një avion pasagjerësh të linjës Ukrainase, pak pasi ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit, duke vrarë 176 persona në bord.

Duke folur për rrëzimin e avionit ukrainas në Iran, kancelarja tha se është gjë e mirë që dihen përgjegjësit, por tani është koha për një sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje dramatike ku humbën jetë njerëzish.

Përveç Iranit e Irakut, kancelarja ka folur me presidentin rus për situatën në Siri, Libi e Ukrainë. Merkel nënvizon se nuk duhet të ketë zgjidhje ushtarake në Siri dhe Libi, por vetëm një zgjidhje politike.

Kancelarja gjermane tha se bisedimet e paqes me Libinë do mbahen në Berlin, teksa Turqia dhe Rusia i bënë thirrje vendeve të Afrikës së Veriut që të vendosnin armëpushimin.

“Ne shpresojmë që përpjekjet e bashkuara të Rusisë e Turqisë do rezultojnë të suksesshme e së shpejti ne do dërgojmë ftesat për një konferencë në Berlin”, tha Merkel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Ajo tha se OKB duhet të udhëheqë bisedimet në një takim që do mbahet në Berlin dhe se palët ndërluftuese në Libi duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje. Synimi është që Libia të ketë shansin të bëhet një vend Sovran dhe në paqe tha Merkel.

Putin shprehu mbështetjen për procesin duke thënë se ideja vjen në kohën e duhur dhe se është e nevojshme që t’i jepet fund konfliktit në Libi.

Edhe situata në lindje të Ukrainës ishte temë e bisedimeve. Në pranverë në Berlin do mbahet takimi vijues mbi zbatimin e marrëveshjes së Minskit. Më e rëndësishmja organizimi i sigurt i zgjedhjeve lokale në Lindje të Ukrainës, por edhe tërheqja e plotë e trupave të huaja e rimarrja e sovranitetit në kufirin lindor të Ukrainës, që janë çështje të hapura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!