17 vjet marrëveshje e Ohrit/ Zaev: Përfaqësimi i shqiptarëve s’është përmbushur

schedule20:49 - 13 Gusht, 2018

schedule 20:49 - 13 Gusht, 2018

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit nuk është përmbushur ende sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.

Ditën e 17-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore nuk është përmbushur. Megjithatë, në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Zaev ka nënvizuar se qeveria e tij do të punojë për përmirësimin e situatës. “Deri më tani dimë se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike është 19 për qind, që do të thotë se është shumë i ulët. Por ne do të punojmë më tej me shqiptarët dhe etnitë e tjera për ta ndryshuar këtë nivel”, ka thënë Zaev. Ai ka shtuar se në mbledhjet e tjera të qeverisë do të diskutohet krijimi i një institucioni që do të kujdeset për përfaqësimin e barabartë të të gjitha etnive dhe që qytetarët e tyre të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjet politike. “E gjitha kjo, në mënyrë që qytetarët e këtij vendi ta ndjejnë veten në vendin e tyre, si në aspektin e të drejtave ashtu edhe në atë të përgjegjësive”, ka shtuar Zaev. Ndërsa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është shprehur se, 17 vite më parë pakkush mendonte se Maqedonia do të kthehej në shembull për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut. Ai ka theksuar se, zgjidhja e kontestit me Greqinë dhe referendumi i ardhshëm janë pika të cilat duhet të bashkojnë maqedonasit në përpjekjet për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski e ka shfrytëzuar eventin për të deklaruar se, qeveria duhet të ndërmarrë reforma në ekonomi, arsim dhe shëndetësi. Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001 i dha fund konfliktit mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave maqedonase të sigurisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!