Dy raketa me rreze të shkurtër të hedhura nga Koreja e Veriut kanë përfunduar në detin e Japonisë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e Koresë së Jugut, ndërkohë që forcat e armatosura amerikane dhe ato koreanojugore po analizojnë trajektoren e fluturimit, për të zbuluar se për cfarë raketash bëhet fjalë.
Korea e Veriut ka hedhur të paktën dy raketa me rreze të shkurtër nga Uonsan, qytet bregdetar në lindje të Penianit. Raketat kanë udhëtuar për 430 kilometra dhe përfunduan në detin e Japonisë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e Koresë së Jugut, sipas asaj që raporton Nju Jork Tajms. Kjo është hera e parë që kur presidenti amerikan Donald Tramp dhe lideri koreanoverior Kim Jong Un u takuan në qershor në kufirin mes dy Koreve.
Autoritetet koreanojugore së bashku me forcat e armatosura amerikane po analizojnë trajektoren e fluturimit për të zbuluar se për cfarë rakete bëhet fjalë. Ky mendohet të jetë reagimi i Koresë së Veriut ndaj lajmit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korea e Jugut do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake në muajin gusht.
Presidenti amerikan Tramo nuk u tregua i shqetësuar duke u shprehur se nuk mërzitej nga testet e reja raketore të Penianit. /ABC news Albania 24/7