Me 25 maj 2005, ndoshta kemi parë finalen më të bukur të historisë së Champions League. Në Stamboll, përplaseshin Milani me Liverpoolin, me kuqezinjtë italianë që ishin dukshëm favoritë. Madje, kur shifrat shkuan 3-0 në favor të tyre pas 45 minutave të para, gjithçka dukej e mbaruar.
Por Liverpool arriti të shënojë tre gola në pjesën e dytë, me anë të Gerrard, Smicer dhe Alonsos, duke çuar këtë finale në penallti dhe duke fituar trofeun e Champions League, në ndoshta përmbysjen më të çmendur të gjitha kohërave.
Për atë finale, ka folur ish-sulmuesi i Liverpool, Djibril Cisse. Bomberi francez, për faqen zyrtare të klubit, kujtoi: “Ndeshje pas ndeshje, na kuotonin si të eliminuar, pasi atë sezon, nuk ishim në formën e duhur.
Kundër çdo ekipi që luajtëm, na cilësonin si “underdogs”, por ne treguam shpirt gare dhe arritëm deri në finale. Milani kishte talentin, me lojtarë të mëdhenj, ndërsa ne kishim zemër. Nuk do e harroj kurrë atë natë, është momenti kulminant i karrierës time”, u shpreh mes të tjerash Cisse./abcnews.al