Në studion e ABC e Mëngjesit, Eris dhe Ana Kokoneshi treguan historinë e tyre frymëzuese që po bën jehonë përtej Shqipërisë. Dy motrat nga Elbasani, vetëm 19 dhe 12 vjeçe, janë renditur mes 10 sportisteve më të mira në Europë në ping-pong, një arritje e rrallë për moshën e tyre.
Por ajo që ka habitur më shumë është performanca e Anës, e cila në moshën 12-vjeçare ka arritur të mposhtë edhe kundërshtare 19-vjeçare në kampionate, duke treguar një talent dhe pjekuri sportive që tejkalon moshën. Një sukses që nuk vjen rastësisht, por nga disiplinë, punë e palodhur dhe një pasion i lindur herët.
Eris, studentja e vitit të parë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, është kampione në fuqi për moshat dhe përfaqëson Shqipërinë si në kategoritë e reja ashtu edhe tek të rriturit. Ndërsa Ana, kampione për moshat 13-vjeçare, ka nisur rrugëtimin e saj që në moshën 7-vjeçare, duke ndjekur hapat e motrës së madhe.
Rivaliteti mes tyre është një nga “sekretet” e suksesit. Ato stërviten së bashku, sfidojnë njëra-tjetrën dhe rriten çdo ditë përmes gabimeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm. “Kur fiton motra, është njësoj sikur fitoj unë”, thotë Erisa, duke treguar lidhjen e fortë që i bashkon.
Ana kujton me emocion momentin kur u rendit mes më të mirave në Europë pas një performance të shkëlqyer në Podgoricë, ku mori vendin e tretë dhe pikët vendimtare për këtë sukses. “Ishte krenari për familjen, qytetin dhe Shqipërinë”, shprehet ajo.
Me dhjetëra medalje dhe kupa të fituara, motrat Kokoneshi janë sot një nga historitë më të bukura të sportit shqiptar. Mes ëndrrave për suksese të tjera ndërkombëtare dhe përfaqësim në kampionate botërore, ato synojnë të shkojnë edhe më larg. Sepse për to, ping-pongu nuk është thjesht sport, është pasion, sakrificë dhe një rrugë drejt majave të Europës… dhe pse jo, të botës.


