(12) Hapet dosja agjenturore e K.M (K. M= Kiko Majmuni)

schedule19:10 - 29 Korrik, 2022

schedule 19:10 - 29 Korrik, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Vërtetim biografik dhe vlerësim paraprak i K.M. nga operativi Bido Tërshëra

K.M. ka lindur në Amazonë nga majmunia Kika. Babai është i panjohur. Dmth është kopil. Jo vetëm në kuptimin nistor të fjalës, por dhe në atë metaforik. Ka tru shumë të zhvilluar, ka aftësi të mëdha analize e sinteze, zotëron një intuitë fenomenale.

Eshtë i papajtueshëm dhe i pamëshirshem me mafiozët, sidomos me ata të racës së tij. Mund t’i ushtrojmë presion se ka një çështje të hapur ngaqë ka rrahur tre policë bashkiakë në Sarandë dhe një turist grek.

Propozojmë ta tërheqim në bashkëpunim në drejtim të majmunit Abu, koka e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së. Sipas të dhënave operative majmuni Abu e kamuflon  veprimtarinë e tij kriminale si aktor reklamash bananesh. Ndërsa narkoparatë i riciklon në firma private, në kulla dhe në resorte turistike.

Rekrutimi dhe pseudonimi

Sipas planit operativ, me Kikon u planifikua një takim i rastësishëm në Qafë Gjashtë, në lulishten e bar restorant “Bambuja”. Pas pyetjeve të përgjithshme, përmendjes së dosjes në SPAK (godijta e zyrtarëve të lartë në detyrë) dhe vendosjes së kontaktit psikologjik, iu propozua troç bashkëpunimi me organet tona. Kiko kroi kokën dhe nisi të mendohej. Kur i ushtrova pak presion, më citoi një filozof grek që nuk e mbaj mend emrin. “Po-ja dhe Jo-ja- tha, janë fjalët më të shkurtra dhe më të vjetra, por duhen thënë pas një mendimi të thellë”.  Më në fund tha Po, me shumë entuziazëm.

E pranoj këtë detyrë të lavdishme, tha për disa arsye:

Për t’i hequr vetes njollën e pamerituar si gango dhe nuk dua kurrë që të dënohem si i burgosur ordiner.

Për të neutralizuar dhe shkatërruar veprimtarinë kriminale të majmunit Abu. Për t’i rikthyer dinjitetin dhe prestigjin të gjithë majmunëve në vend dhe në diasporë.

Pasi iu dha vija e sjelljes ndaj objektit, Kiko nënshkroi deklaratën e bashkëpunimit. Iu propozua pseudonimi Ajnshtajn që e miratoi me ngazëllim dhe lot në sy.

Po kështu iu dha parulla:” Bananja konike”. Kundërparulla:  “Kam makinë, por s’kam benzinë..”

Raport informacioni nr. 1

Abu ka zënë  të dashur  një shitëse në një tabakino. Dashuria e tyre duket platonike, por është e dyshimtë. Çfarë e lidh Abu-n me një shitëse të rëndomtë? Ky mister u zhduk pasi konstatova që Abu po lexonte romanin agjenturor “E fshehta e paketës Porti”. Abu e përdor shitësen si kuti postare për të marrë dhe dhënë mesazhe te të tretët. Propozoj që organet kompetente të vendosin vëzhgim sekret para tabakinos dhe të instalojnë teknikë operative brenda dyqanit.

Nëshkruar

Ajnshtajn

Raport informacioni nr. 2

Abu më ftoi ta shoqëroja në Kuito tëe Ekuadorit. Vetëkuptohet me shpenzimet e tij. Kjo është shenjë që kam fituar besimin e tij. Me të mberritur atje kuptova rëndësinë, madhështinë dhe pushtetin e tij mbi qeniet njerëzore. Mafiozë të të gjitha racave, ngjyrave, besimeve dhe ideve i përkuleshin me respekt dhe i puthin putrën. I drejtoheshin Don Abu.  Subjekti  qëndronte i ftohtë dhe mospërfillës dhe u bënte ca pyetje të çuditshme. Në fillim mu duk se fliste përçart dhe e kishte nga lodhja prej udhëtimit të gjatë.

Ngarkesa gati?

Kontenieri plot?

Kur niset ngarkesa?

A ka ndalesë tranzit?

Sa do të zgjasë rruga deri në destinacion?

Janë marrë të gjitha masat?

Presim surpriza?

Secili përgjigjej plot nënshtrim dhe përulje.

Në darkë vizituam depon e portit. Rradhë me tulla të bardha të kristalta që vezullonin.

Këto janë bananet e mija,- më tha Abu gjithë krenari.

Vlejnë qindra milionë e miliarda, euro, dollar, apo edhe bitcoin po të duash.

Kur i tregova një arkë me logon e bananeve, e kapi në ajër pyetjen time.

I shkreti Kiko, i shkreti Kiko e ke ditur gabim. Banane janë këto tullat, ndërsa bananet që di ti janë thjesht amortizues goditjesh që të mos thyhen tullat gjatë transportit për në Europë.

E falenderova Abun që më iluminoi në këtë pikë dhe më dha rastin të mos vdisja injorant.

Nënshkruar në Kuito

Ajnshtajn

Raport informacioni nr. 3

Gjatë kthimit me avion në klasin e parë Abu piu shumë uiski. Aq sa kaloi ne delirium tremens.

-Do të të them një të fshehtë. Këtë e di vetëm ti dhe po e dëgjova nga një tjetër do të të shkrij në vaskë acidi. Unë jam kapo i trafikut planetar të kokainës. Nuk ka kontinent e vend ku nuk çoj kokainë. I kam në xhep të gjithë. Ministra, policë, doganierë, gjykatës, prokurorë. Disa prejt tyre i kam patur bashkëpunëtorë në organizatë. Por për të lehtësuar punën dhe për të eliminuar çdo rrezik, i kam infiltruar në të gjitha nivelet e piramidës shteterore. Ke pare ti Kiko? Janë kriminelë më të aftë në shtet, sesa kur punonin në organizate! Ndonjërin që bën xhibla, e shantazhoj me materiale filmike e zanore. Por kanë filluar të më dalin jashtë kontrollit se kanë ndërruar emër e mbiemër. Disa herë. Madje disa syresh kanë ndërruar dhe emrin e nënës e të babait.

Mua m’ drodh mjekra nga dënesa. Unë nuk do ta ndërroja  kurrë emrin e babait, mjafton që t’ia dija…

Nënshkruar në avion

Ajnshtajn

Raport informacioni nr. 4

Abu tashmë ka besim të verbër ndaj meje. M’i rrëfen të gjitha. Ulur të dy në degët e një kumbulle të kuqe, Abu me një vështrim perandorak më tregoi vinçat e kullat në ndërtim e sipër.

I shtrenjti Kiko, ja si lartësohen muret nga tullat e mia të bardha. Ky është vendi i duhur për të investuar. Këtu dashuria për betonin është aq e madhe sa ja kalon dashurisë hyjnore.

Në atë moment bëra një gabim profesional.

A nuk ke frikë se të arrestojnë dhe të sekuestrojnë pasuritë?

Abun e kapi një hije dyshimi. Më hodhi një vështrim depërtues. Nuk m’i shqiti sytë. Mu tha gjuha deri në rrëzë, por u tregova qëndrestar.

-Mos ki gajle i thashë, burgun e bëj unë në vendin tënd. Fundja ne ngjajmë si dy pika loti. Majmun për majmun, mjafton të jetë njëri në birucë, sa për statistikë.

Abu nuk e përmbajti veten. Shpërtheu në lot dhe klithma eksitimi.

-Faleminderit për sakrificën, solidaritetin dhe vetëmohimin. Je majmun e shpirt majmuni. Por nuk ka lindur ende ai homo sapiens që të më verë prangat mua.  Personave kyç që të kyçin prangat u kam dhuruar kujt një apartament, kujt një kat e kujt një pallat. Disave u paguaj edhe studimet e fëmijëve jashtë shtetit. Më ka zënë belaja me djalin e një deputeti: ka tetë vjet që e financoj dhe prapë në vit të parë është!

Nënshkroi pranë kullave në Tiranë

Ajnshtajn

Konkluzion i punëtorit operativ Bido Tërshëra

Raport informacionet e Ajnshtajnit janë prova të mjaftueshme që dokumentojnë veprimtarinë kriminale të Abu dhe të organizatës së tij mafioze. Propozoj që Abu të kalojë nga përpunim 2B në 2 A. Dmth të arrestohet. Nga frika se Abu mund të pendohet dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe do të tregojë surratin e vërtetë të personaliteteve tona të fushave te ndryshme, që me aq mund janë bërë gjatë këtyre 32 viteve tranzicion, sugjeroj ta eleminojmë fizikisht. Duke legjenduar ndonjë aksident rrugor me makina me targa greke, angleze ose betoniere. Dihet botërisht se këta aksidentohen më shumë gjatë muajit gusht. Aksidenti me makinë plehrash përjashtohet, sepse do të implikonte autoritetet lokale dhe qëndrore dhe do të rihapte çështjen e nxehtë të incineratorëve.

Ndërsa Ajshtajni, pasi t’i nështrohet një operacioni plastik estetik, të pajiset me identitet të ri, dhe të riatdhesohet në Amazonë.

T’i jepet dhe dekorata e lartë: “ Majmun i Heshtur”.

Për planin operativ dhe kryerjen e operacionit me kodin “Ashtu është nëje muhabet” ngarkohet oficeri drejtimit Noc Rroku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!