11 shtatori, Trump nderon viktimat e fluturimit 93

schedule22:13 - 11 Shtator, 2018

schedule 22:13 - 11 Shtator, 2018

Presidenti Trump ka zgjedhur Pensilvaninë për të bërë homazhet në nder të viktimave të 11 shtatorit. Duke vlerësuar patriotizmin e pasagjerëve të avionit që iu rebeluan terroristëve, Trump ka premtuar se do t’i qëndrojë gjithmonë përballë së keqes.

Presidenti Donald Trump ka bërë të martën homazhe në nder të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit, duke nderuar veçanërisht pasagjerët e avionit që iu rebeluan pengmarrjes së terroristëve dhe sakrifikuan jetën për të shmangur planin e tyre.

“Ata sulmuan armikun, luftuan deri në fund dhe parandaluan planin djallëzor të forcave të terrorit”, ka thënë Trump në Pensilvani, vendi ku 17 vjet më parë u rrëzua avioni me numër fluturimi 93.

Ndërsa ka vlerësuar edhe rolin e ushtrisë amerikane, Trump është zotuar se do të mbrojë vendin nga terrorizmi me sfond islamik. Teksa kanë rënë këmbanat dhe amerikanët në të gjithë vendin kanë mbajtur një minutë heshtje, presidenti dhe zonja e parë Melania kanë vizituar memorialin kombëtar kushtuar viktimave.

Duke kujtuar gjithashtu viktimat e sulmeve në Nju Jork dhe Uashington, Trump është shprehur se do të nderojë figurën e tyre duke i qëndruar përballë së keqes dhe ka shtuar se do të bëjë gjithçka për një Amerikë më të sigurtë.

17 vjet më parë, pasi terroristët kishin marrë nën kontroll avionin e “Junajtid Eirllajns” me numër fluturimi 93, që fluturonte mbi Pensilvani e që dyshohet se ishte drejtuar për të goditur selinë e Kongresit në Uashington, pasagjerët u organizuan dhe u përballën me ta duke bërë që avioni të rrëzohej dhe që plani terrorist të dështonte. “Ishte momenti kur Amerika u kundërpërgjigj dhe pasagjerët e atij avioni iu bashkuan radhëve të heronjve të pavdekshëm amerikanë”, ka shtuar Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!