11 mijë të prekur nga infeksione respiratore, Manastirlliu: Ku duhet ti dërgoni fëmijët për vizitë

schedule10:06 - 7 Janar, 2020

schedule 10:06 - 7 Janar, 2020

Rreth 11 mijë persona në javë preken nga infeksionet respiratore. Kurba e qarkullimit të gripit është në rritje, deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ajo u bëri thirrje prindërve të drejtohen në qendrat shëndetësore pa patur nevojë të shkojnë në spital, pasi janë hapur tre qendra ku ofrohet shërbimi i urgjencës 24 orë/ditë.

Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila është një prej qendrave që është kthyer në qendër 24 orëshe për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.

“Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-Bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”, u shpreh ministrja.

Për të shmangur radhët e gjata tek urgjenca e Pediatrisë në QSUT, ajo u shpreh se “të gjitha shërbimet përkatëse që sot merren në QSUT apo deri dje janë marrë në QSUT do të vijojnë të merren në këto qendra shëndetësore. Mjekët janë të kualifikuar, kemi marrë masa për furnizimin me barna dhe material mjekësore”.

Sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri, sikundër në të gjithë vendet Europiane po qarkullon virusi I tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën. Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Situata është normale, e zakonshme dhe e pritshme për stinën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!