Gjatë këtyre 3 dekadave për historinë e vendit tonë është shkruar nga studiues të shumtë, përfshirë autorët e grupit të punës të botimit në proces “Historia e shqiptarëve”. Ndonëse, puna për rishikim të historisë nisi të diskutohej që në vitin 1994, 2 vëllimet aktuale të Akademisë së Shkencave, si tekst normativ në demokraci, do të vijnë pas 5 vëllimeve të “Historisë së popullit shqiptar”. Një botim që nisi në vitin 2002 e u konkludua 7 vite më pas.
Polemikat për rishkrimin e Historisë së Shqiptarëve, u shtuan edhe prej faktin se është ende në proces puna për hartimin e “Historisë së shqiptarëve në shekullin e XX”. Një tekst i nisur prej 2017-ës e që është përmbledhur në 5 vëllime, 3 prej të cilëve tanimë janë të botuara, ndërsa 2 vëllimet e fundit pritet të dalin brenda vitit që pason. Fakti që Akademia e Shkencave nis punën për një tekst të ri ndërkohë që Akademia e Studimeve Albanologjike po përfundon një pjesë thelbësore të historisë sonë, ngriti dyshimet për një lloj kryqëzimi apo riprodhimi që mund të bëhet në rishkrimin e historisë së plotë. Ndërsa diskutimi për politizim të historisë, u shtua në saj të prononcimeve publike qeveritare ku pretendohej një lloj meritokracie për nisma të tilla të cilat bëhen me fonde publike.
Por, është e qartë se faktet dhe heronjtë e së shkuarës, nuk po thërriten për herë të parë në tekstet historike të këtyre 3 dekadave. Akademiku Pëllumb Xhufi kujton kështu tentativat e rilindasve për krijimin e kujtesës historike të popullit tonë gjatë krijimit të shkollave shqipe.
Kompleks e plot vështirësi ka qenë procesi i shkrimit të Historisë sonë zyrtare gjatë sistemit komunist. Emra si Aleks Buda, Kristo Frashëri, Hasan Ceka, Stavri Naçi, Selami Pulaha etj., punuan për më shumë se një dekadë për të të krijuar një bazë të trashëgimisë tonë historike.
Por a qëndron paralelizmi që disa studiues i bënë projektit aktual të Akademisë së Shkencave me histori-bërjen në komunizëm dhe çfarë i dallon këto procese?
Tekstet historike në komunizëm siç tregon studiuesja Sonila Boçi ndryshonin sa herë që ndryshonte politika. Një nga rastet më tipike sipas saj është ai i Mehmet Shehut.
Në këto rrethana, ku ndikimi komunist në histori-bërje ka qenë i fortë, studiuesit shprehen se në tekstin aktual të akademisë, do të integrohen ato materiale që në ballafaqim dokumentesh nuk rezultojnë të manipuluara. /Abcnews.al