Nezihat Stërmasi, bashkëshortja e legjendës bardheblu, Selman Stërmasi, sot feston ditëlindjen e 100-të. Urimet për të janë të shumta, duke nisur nga familjarët e më pas për të kaluar te tifozët dhe personalitetet shtetëtërore dhe të botës së sportit.
Ilir Meta, Presidenti i Shqipërisë, nuk e ka humbur rastin të bëjë urimin e tij. “Në 100-vjetorin e saj të lindjes, një urim special për Nezihat Stërmasin, bashkëshorten e legjendës së Tironës dhe futbollit shqiptar, Selman Stërmasi dhe bijën e derës së madhe Petrela, gruan fisnike që mishëron si askush tjetër traditën qytetare tiranase, tifozen më të veçantë të fanellës bardhë e blu. Gëzuar e jetofsh shekullin e dytë të jetës, me shëndet të plotë e me sa më shumë gëzime!”, shkruan kreu i shtetit.
Edhe Armand Duka, presidenti i FSHF-së, e uron gruan e legjendës së Tiranës. “E nderuara zonja Nezihat! Ju uroj për ditëlindjen tuaj të 100-të. Në këtë çast të gëzueshëm, më lejoni të vlerësoj pasionin që ju, bashkëshorti juaj Selmani dhe familja Stërmasi, keni treguar gjatë gjithë jetës tuaj shekullore, për futbollin. Ditët në vazhdim, qofshin sa më të lumtura për Ju dhe të afërmit tuaj. Edhe njëherë, gëzuar ditëlindjen”. /abcnews.al

