1 vit pandemi, shërbimi i Strokut merr emrin e mjekut Drini Dobi, Manastirliu: Ka dritë në fund të tunelit

schedule19:35 - 9 Mars, 2021

schedule 19:35 - 9 Mars, 2021

Shërbimi i Strokut në Neurologji në QSUT ka nga sot emrin e mjekut të njohur që ndërroi jetë për shkak të COVID, Drini Dobi. Në 1-vjetorin e zbulimit të rasteve të para me COVID në Shqipëri Ministria e Shëndetësisë vendosi të nderojë figurën e dr. Drini Dobit.

Disa mjekë të njohur bashkë me ministren Manastirliu dhe familjarë të Dobit zbuluan emërtimin e ri të Shërbimit të Strokut duke e kujtuar mjekun e njohur për emrin e mirë që la pas. Bashkëshortja e Drini Dobit theksoi se i shoqi la pas një shembull të mirë për dy fëmijët e tyre dhe të gjithë mjekët që nesër do bëhen shefa të shërbimeve shëndetësore.

“Sa herë me dy fëmijët ndodhemi në një situatë në të cilën na duhet të gjejmë një mendje mendojnë se çfarë do thoshte Drini. Ai do gjente një mënyrë të shprehte mirënjohje për të gjithë ju. Drini dinte të buzëqeshte në mes të furtunës. Dinte ta ndërtonte çlodhjen e vet duke veshur harenë dhe gëzimin.

Vlerësonte shumë vlerat njerëzore. Jam e bindur që sado të jetonte do ishte po me këtë mendje. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme që kishte Drini dhe një model për dy fëmijët tanë dhe pë rata që nesër do bëhen mjekë dhe shefat e shërbimeve tona. Mendoj së Drini është kujdesur shumë për këtë shërbim dhe do vazhdojë të kujdeset duke qenë i mbarë”, deklaroi ajo.

Ndërsa ministrja Manastirliu u ndal te bilanci 1-vjeçar i pandemisë në radhët e bluzave të bardha, duke theksuar se sot më shumë se kurrë ka dritë në fund të tunelit.

“Dr. Drini nuk arriti dot ta fitonte betejën e jetës edhe pse ka fituar betejën më të madhe në jetë për të lënë pas familje të mrekullueshme dhe një emër që do kujtohet gjatë nga njerëzit dhe kolegët e tij. Në këtë 1-vjtetor të luftës me COVID edhe pse kemi mijëra jetë të shpëtuara kemi më shumë se 1900 jetë të humbura. Ndër ta është edhe doktor Drini dhe shumë mjekë të tjerë që nuk ia dolën dot. Në këtë vit të pandemisë jam e bindur që jo vetëm unë personalisht por të gjithë së bashku kemi dhënë më të mirë nga vetja dhe njerëzoren tonë. Kjo luftë na ka kërkuar të jemi shumë njerëzor me njëri-tjetrin.

Dhe në fakt njerëzorja është ajo që na ngre në nivel tjetër në raport me shoqërinë. Drini, dua ta thërras Drini se e kam pasur afër bë QSUT na i ka transmetuar vlerat e mëdha njerëzore përpos atyre profesionale. Shërbimi që sot merr emrin e tij është një shërbim i ri, siç ishte dr. Drini. Ky shërbim duhet të rritej me të.

Unë kujtoj kur ky shërbim është krijuar me ekipin fantastik dhe patjetër dr. Drinin të cilin e hasje kudo në spital. Nuk ishte vetëm doktor neurolog por shkonte në urgjencë në çdo orë. Nëse e merrje dhe e pyesje për një pacient ngrihej në mes të natës dhe vinte të përgjigjej dhe jepte më të mirë për t’i shërbyer njerëzve. Ky është misioni i një mjeku.

Dr. Drini e ka bërë këtë në aspektin më njerëzor të mundshëm duke lënë pas dore edhe aspekte personale. Nuk e do harrojmë dr. Drinin dhe asnjë prej mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën  në këtë betejë të shekullit. Sot më shumë se kurrë ka dritë në fund të tunelit”, u shpreh ministrja.

Mjeku Arben Gjata deklaroi se e kujton me shumë respekt Drinin duke e quajtur ndarjen e tij nga jeta një humbje të madhe. Ai tha se kolegu i tij la pas një emër të madh.

“Unë e kam të vështirë të flas. Ka një vit që COVID-i ka hyrë në Shqipëri dhe gjatë kësaj periudhe, janë shumë kolegë tanë që kanë humbur jetën në këtë betejë. Drini është i veçantë për të gjithë ne dhe jo vetëm se ishte mjek shumë i zoti.

Apo një shok dhe një koleg i afërt, ai ishte njeri i rrallë. Të gjithë do largohemi një ditë. Gjëja më e rëndësishme është se çfarë lë mbrapa. Drini ka lënë një emër që do kujtohet me respekt dhe është gjëja më e rëndësishme sot të lësh një emër të mirë. Ne kemi kërkuar që shërbimit të Strokut t’i vihet emir i Drinit, falenderoj ministren që na mbështeti”, tha Gjata.

Ndërsa zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se Drini e bënte me dashuri çdo shërbim mjekësor.

“Këtë punë Drini e ka bërë me jetën e vet dhe atë që ai dinte të dhuronte më mirë se çdo gjë tjetër, dashurinë për njerëzit. Çdo lloj shërbim mjekësor Drini e bënte me dashuri”, tha Rakacolli./mv.abcnews.al