1 Maji, Meta: Vendi vuan largimin e punëtorëve

schedule10:21 - 1 Maj, 2019

schedule 10:21 - 1 Maj, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zgjodhi ta urojë 1 Majin, ditën e punëtorëve, nga rrjetet sociale. Ai ndau shqetësimin me të gjithë punëtorët e çdo lloj sektori për kushte më të mira pune në respekt të ligjeve në fuqi.

Fatkeqësisht sipas tij vendi ka ende një nivel të papranueshëm papunësie. Përveç kësaj, Shqipëria vazhdon të vuajë largimin e punëtorëve. Meta thekson se duhet të jetë shteti, ai që duhet të sigurojë kushtet më të mira të punës që kjo kategori të ndërtojë të ardhmen në vendin e saj.

Në fund, Presidenti pati edhe një falënderim për emigrantët, që sipas tij i kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme zhvillimit të vendit.

Postimi i plotë:

Duke u uruar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, ndaj sot shqetësimin me të gjithë punëtorët, të sektorit publik dhe të atij privat, për kushte më të mira e më dinjitoze pune dhe për respektim të legjislacionit, që garanton plotësisht të drejtat e tyre.

Me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit. Por fatkeqësisht, Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar.

Është detyra e shtetit në radhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë.

Një falënderim të veçantë kam sot dhe për të gjithë emigrantët shqiptarë, që me punë të ndershme kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme kundër varfërisë dhe zhvillimit të vendit në vitet e vështira të tranzicionit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!