Filip Kutinjo u ndoq nga qindra tifozë në stërvitjen e tij të parë me Bajernin. Ylli brazilian shkëlqeu që në fillim me skuadrën e trajnerit Niko Kovaç.
Interesimi për të ishte tepër i madh, por këtu jemi në Gjermani.
Plot 1 500 tifozë kishin mësyer kompleksin stërvitor të Bajernit për të ndjekur nga afër, yllin më të ri, dhe më të kërkuar, Filip Kutinjon.
Braziliani, që doli për herë të parë në stërvitje me skuadrën e tij të re, u udhëzua nga një zyrtar I klubit, që të afrohej tek tifozët së bashku me trajnerin Niko Kovaç dhe me përforcimin tjetër, Mikael Kuisons.
Megjithë motin e keq dhe me reshje, ata ishin të lumtur që u ndodhën aty, dhe nuk mbetën të zhgënjyer.
Kutinjo, i ardhur huazim nga Barcelona, shënoi 3 gola në minindeshjen përgatitore brenda skuadrës, duke treguar formë të mirë.
Shpresa është e madhe, por po ashtu ka edhe dyshime, sepse 27-vjeçari ishte i shkëlqyer tek Liverpuli, por zhgënjeu në “Kamp Nou”, pra nuk dihet sesi do të paraqitet në Gjermani.
Bajerni e mori huazim për rreth 8 milionë euro, me të drejtë transferimi përfundimtar prej 120 milionësh, vitin e ardhshëm.
Analistët në televizionin amerikan, ESPN, deklaruan se lëvizja e Bajernit u duk si një veprim në panik e sipër, nga frika se mos mbeteshin pa u forcuar.
Dyshues edhe ish-trajneri i Gjermanisë, Berti Fogts, i cili deklaroi për mediat se ndoshta braziliani nuk është një yll i vërtetë botëror.
Gjithsesi, tek Bajerni kanë besim, dhe mediat kanë nisur analizat sesi mund të luajë skuadra e trajnerit Kovaç.
“Deili Meil” thekson se Kutinjo do të jetë pas sulmuesit kryesor, Robert Levandovski, dhe jo në krahë, dhe se mund ta ndihmojë skuadrën bavareze për të fituar Championsin. /ABC News Albania 24/7