Tërmeti në qeverinë austriake, pas publikimit të skandalit të korrupsionit të zv/kancelarit, mund të shtrihet edhe tek ministri i Brendshëm. Kancelari Kurc nuk i ka konfirmuar këto zëra, ndërsa Partia e Lirisë, së cilës i përkasin të dy zyrtaret paralajmëroi dalje nga koalicioni.
Austria vazhdon të jetë e trazuar politikisht, pas skandalit që detyroi zëvendës kancelarin e vendit Hajnc Kristian Shtrahe të jepte dorëheqjen. Pas Shtrahe, vëmendja e kancelarit Sebastian Kurc është fokusuar tek ministri i Brendshëm, Herbert Kikël, anëtar i Partisë së Lirisë e drejtuar nga Shtrahe. Videoja e xhiruar fshehurazi tregoi ish-zëvendës kancelarin teksa diskutonte një aferë financiare me një investitor rus dhe për Kurc, shkarkimi i ministrit Kikël është mënyra e duhur për të hedhur plotësisht dritë mbi episodin. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Kurc nuk i konfirmoi zërat se ministri i Brendshëm do të shkarkohej. Por Partia e Lirisë ka deklaruar se, nëse ministri shkarkohet ajo do të dalë nga koalicioni qeverisës. Ndërkohë, Rusia ka përjashtuar çdo përfshirje në aferë. Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dimitri Peskov ka deklaruar se gjithçka që ka ndodhur është një incident që nuk ka lidhje me Kremlinin. Sidoqoftë, skandali vjen në një moment kritik për Partinë e Lirisë, pasi pas pak ditësh, nga 23 deri më 26 maj do të mbahen zgjedhjet euro-parlamentare, që pritet të sjellin një rritje të ligjvënësve ekstremistë./ABC News Albania 24/7