Meta mesazh politikës: Gjithçka u përkeqësua në interes të luftës për pushtet

09:29 | 12/08/2019

Presidenti i republikës, Ilir Meta e ka nisur ditën me një shënim në rrjetet sociale duke përsëritur apelin e fortë për palët politike në vend. Meta u ka kujtuar palëve politike se ka kaluar 1 vit, që nga koha kur u bën të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas presidentit, jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet.

Meta thekson se “duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019”.

Të dashur miq! 
Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet.

Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.

Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.

Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019.🇦🇱🇪🇺

– 27 qershor 2018 – 
Ashtu siç kaloi një ditë, do kalojë dhe një vit

Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.

Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.

Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë.

Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë.

Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim“, shkruan Presidenti./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono