Iris Luarasi e cilëson pozitive marrëveshjen e arritur mes palëve për Reformën Zgjedhor, ndërsa shton se tryeza duhet të jetë edhe më e gjerë.
E ftuar në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, Luarasi tha se presidenti Ilir Meta ka të drejtë kur thotë se marrëveshja duhet të jetë më e shtrirë. Deklaratë kjo e dhënë nga kreu i shtetit në një intervistë për Abc News.
“Marrëveshjet janë gjithmonë të mira. Gjëja më e mirë do ishte që të dy palët të uleshin si të barabarta. Në këtë rast duhet të mësojë më shumë opozita se ishte ajo që braktisi parlamentin.
Unë mendoj se presidenti në këtë rast ka të drejtë, se dy palë që i ul vetëm reforma. Nuk duhet të jetë e vetmja tavolinë që duhet të bëjnë palët. Ka lënë vende plot për të disktuar për shumë çështje të tjera. Diskutime edhe te pjesa e reformës në drejtësi, plotësimi i vendeve vakante, unë nuk mendoj se opozita nuk duhet të përjashtohet nga kjo”, tha Luarasi.
E pyetur se çfarë e motivoi Lulzim Bashën të ndërmerrte aksionin deri në mohimin e institucioneve, se u ndje i zhgënjyer nga Edi Rama, apo kishte nevojë që të faktonte figurën e liderit të fortë, Luarasi tha: “Unë mendoj se të dyja mund të kenë një peshë. Njëri prej faktorit që do shtoja unë është edhe ai i ngritjes së një sistemi të ri drejtësie. Ne e dimë që njerëzit që nuk do jenë shumë të kënaqur, shpresat janë te BKH dhe te SPAK. Një nga shpresat e tjera që mund të kishin njerëzit është ndryshimi i sistemi zgjedhor’./abcnews.al