Itali, shans për të formuar një qeveri të re

21:52 | 22/08/201921:520

Presidenti i Italisë u ka dhënë 5 ditë kohë partive politike për të tentuar krijimin e një qeverie të re dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme. Opsioni më i përfolur për tejkalimin e ngërçit politik është ai i një aleance mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes 5 Yjet.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella u ka dhënë kohë deri të martën partive politike që të gjejnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kriza zgjidhet me vendime të qarta, të marra në një kohë sa më të shkurtër”, deklaroi Mattarella në një fjalim të mbajtur të enjten, në përfundim të ditës së dytë të konsultimeve.

Kreu i shtetit vlerësoi se kriza e hapur me dorëheqjen e kryeministrit Konte është e rëndë dhe duhen konsultime të mëtejshme për të arritur, siç tha ai, në përfundime dhe për të marrë vendimet e duhura.

“Është detyra ime të marr vendimet e duhura për vendin”, vijoi Mattarella.

Duke komentuar zërat për bisedime mes partive politike për krijimin e një qeverie të re, presidenti theksoi se ekzekutivi i ri duhet të gëzojë shumicën në Parlament dhe të ketë një program të mirëfilltë politik.

Në këtë aspekt, sipas mediave italiane, duket se kanë nisur bisedimet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes 5 Yjet. Kryetari Luigi Di Maio dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt janë mandatuar nga grupi parlamentar për të zhvilluar bisedime me demokratët.

Gjasat, sipas burimeve mediatike, janë që palët të takohen ditën e premte. Më herët gjatë ditës, në përfundim të seancës së konsultimit me presidentin, kryetari i Ligës së Veriut, Mateo Salvini u shpreh i gatshëm të rifillojë bashkëpunimin me ish-partnerët e tij.

“Jemi gati të rifillojmë nga puna pa i mbajtur mëri njëri-tjetrit. Ndryshe, le të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Salvini.

Ndërkohë, në debatet politike u përfshi edhe ish-kryeministri Silvio Berluskoni, i cili deklaroi se partia e tij nuk do të bëjë aleanca me parti që më parë e braktisën.

“Ose një qeveri e qendrës së djathtë, ose në zgjedhje”, tha Berlusconi. Se çfarë do të ndodhë, kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono