kopshti botanik

luciano-boci1234.jpg
ger ta20:02 | 14/11/2019

Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative e cila rrëzoi sot padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me kundërshtinë që ata i bënë vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës.

Sipas Boçit nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi siç thekson ai “vendimi ishte marrë nga ekzekutori i drejtësisë, vetë kryeministri dhe dukej si përrallë shfuqizimi”.

Reagimi i plotë:

GRABITJE E DREJTË

E tillë është konsideruar grabitja që i bënë Kopshtit Botanik, Bashkia e Tiranës dhe Kryeministria.

Gjykata Administrative nuk ka pranuar padinë e Rektoratit dhe Dekanatit ndaj VKM-së 510.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Grabitjet, vjedhjet, mashtrimet kanë kohë që në Shqipëri janë ligjëruar.

I gjen kudo me VKM, me ligje speciale, emërime me shumicë votash….

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse vendimi ishte marrë nga ekzekutori i drejtësisë, vetë kryeministri dhe dukej si përrallë shfuqizimi.

Nga ai që ka kapur institucionet e Drejtësisë, po rrëmben Gjykatën Kushtetetuese dhe që kjo administrativja i duket si zbavitje.

Pas kësaj Bashkia Tiranë nuk do merret vetëm me punë botore por dhe me punë shkencore…

Rroftë liria akademike e Bashkisë!

drushku.jpg
ad min17:37 | 29/10/2019

Gjykata Administrative e Apelit vlerësoi të vlefshme padinë e Rektorit të Universiteti të Tiranës i cili kundërshton vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha toke të Kopshtit Botanik.

Dekani i Fakultetit të shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, i ftuar këtë të martë në ABC News u shpreh se pedagogët nuk janë shprehur kurrë që Kopshti është pronë e FSHN-së. Ai tha se kopshti është aset shtetëror, por që i është lënë FSHN-së nën administrim dhe kujdesje.

“Është një pronë që nuk i është dhënë fakultetit të shkencave në administrim, por është një pronë që që në vitin 1965 i është dhënë për ta krijuar dhe administruar Kopshtin Botanik. Aty është puna, kërkimi, djersa, kontributi i dhjetëra brezave të kërkuesve në fushën e Florës që sot e kanë shndërruar në një Kopsht Botanik”, tha Drushku.

Ai shpjegoi arsyen pse Bashkia nuk mund ta marrë këtë kopsht. Sipas Drushkut, Kopshti Botanik ka vetëm një qëllim dhe ai është për studime akademike.

“Bashkia nuk mund ta marri sepse që ta marri duhet të ketë kapacitetet e saj për ta administruar, ndërkohë që nuk është një kopsht rekreativ. Kopshti botanik që në strukturën e tij është endur e kërkimit dhe zhvillimit. Aty janë sjellë nga shkencëtarë botanikë mbi 1500 specie. Ka vetëm qëllim akademik. Kopshti Botanik jo se nuk punon si qendër rekreacioni. Aty vijnë e vizitojnë studentë, nxënës, bëjnë praktika dhe studentë të rretheve. Aty është një Shqipëri e vogël me të tërë bimët e futura brenda”, tha Drushku.

Ndër të tjera, dekani theksoi se Universiteti i Tiranës nuk ka probleme me investimet e bashkisë, por Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë që kanë miratuar vendimin.

“Bashkia nuk ka punë në këtë proces. Ne nuk jemi kundër investimeve të Bashkisë. Ne kemi bërë një padi kundër vendimit 510 ku kjo pronë e shtetit i kalon bashkisë dhe i hiqet administrimi FSHN. Bashkia është palë përfituese. Ne e kemi problemin me Ministrinë e Arsimit që e ka propozuar këtë lloj transferimi dhe qeverinë që e ka miratuar. Sa herë që kërkojmë të bëjmë debate del përpara si një varkë shpëtimi Bashkia e Tiranës. Me bashkinë jemi dakordësuar të bëjmë këto investime”, u shpreh Drushku.

Drushku theksi më tej se kërkon të gjejë pikat e përbashkëta me qeverinë për të bërë zgjidhjen më të mirë. Ndërkohë, FSHN i është drejtuar edhe një shoqate ndërkombëtare ku marrin pjesë botanistët më të mirë të Evropës. Këta të fundit do t’iu drejtohen me një letër sensibilizuese Ministrisë së Arsimit.

Një trupë prej pesë anëtarësh në gjykatën Administrative të Apelit do të vendosë nëse padia që ka bërë rektori i UT do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Apelit, apo do t’i kalojë për shqyrtim një tjetër shkalle të gjyqësorit.

Intervista e plotë:

/abcnews.al

PROTESTA-E-STUDENTEVE-MBULIM.mpg_snapshot_00.19-1280x720.jpg
ent ela12:51 | 29/10/2019

Gjykata Administrative e Apelit vlerësoi të vlefshme padinë e Rektorit të Universiteti të Tiranës i cili kundërshton vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha toke të Kopshtit Botanik.

Ndërkohë një trupë prej pesë anëtarësh do të vendosë nëse kjo padi do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Apelit, apo do t’i kalojë për shtyrtim një tjetër shkalle të gjyqësorit.

Vendimin e gjykatës, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës po e prisnin në hyrje të saj.

Në formë proteste kundër vendimit të qeverisë që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha të  Kopshtit Botanik, studentë e pedagogë marshuan nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës deri tek Gjykata Administrative e Apelit.

Pedagogët thonë se qeveria vendosi t’i kalojë bashkisë në pronësi Kopshtin Botanik pa transparencë dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.

Ata shprehen se Kopshti Botanik duhet të mbetet në funksion të procesit mësimor dhe tregojnë se do ta mbrojnë me çdo formë./abcnews.al

protestues.jpg
ent ela12:22 | 29/10/2019

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave dhe Natyrës protestojnë këtë të martë përpara Gjykatës Administrative të Apelit. Ata janë kundër vendimit të qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë sot nëse Kopshti Botanik duhet të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë.

Ndërkohë pedagogët dhe studentët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse gjykata vendos për kalimin e Kopshtit Botanik drejt Bashkisë së Tiranës. Gazetarja Ajgena Korbi raportoi për abcnews.al se ka një shkresë të sindikatës së punonjësve të FSHN sipas së cilës pedagogë dhe studentë janë shprehur kundër vendimit të qeverisë. Ata kanë depozituar një tjetër padi në Gjykatën Administrative, pasi kërkojnë të jenë palë e procesit gjyqësor ashtu sikurse është edhe Bashkia e Tiranës apo Ministria e Arsimit.

Pedagogët dhe studentët janë shprehur për kamerat e ABC News se do të protestojnë derisa të vendoset që Kopshti Botanik i takon Fakultetit të shkencave të Natyrës

“Do qëndrojmë derisa të zgjidhet problemi. Ne dimë që jemi për një kauzë të drejtë. Kopshti Botanik është pronë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, tha një pedagoge.

“Duam të mbrojmë Kopshtin Botanik sepse është e vetmja gjë ku mund të bëjmë praktikat. Presim nga gjykata që të marrë një vendim që Kopshti të jetë i joni”, u shpreh një studente.

Rreth orës 11:30 pedagogët dhe studentët marshuan drejt gjykatës për të kundërshtuar vendimin për dhënien e Kopshtit Botanik Bashkisë së Tiranës. Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë sot nëse Kopshti Botanik duhet të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë, siç ka vendosur qeveria.

Një ditë më parë një pjesë e studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të administratës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës protestuan kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha tokë të Kopshtit Botanik.

Pedagogë e studentë kërkojnë që Kopshti Botanik të jetë në shërbim të procesit mësimor, ndërsa shprehen se qeveria vendosi t’ja kalojë bashkisë pa transparencë.

Më 9 tetor Gjykata Administrative e Apelit shtyu seancën për më 29 tetor pasi palët nën akuzë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit nuk u paraqitën./abcnews.al

pedagogu.jpg
ent ela11:43 | 29/10/2019

“Këtu qeverisë duhet t’i thuhet ndal! Pa ide të majta e të djathta. Këtu çdo njeri është pedagog sot, sepse po prishet ajo që është bërë prej 50 vitesh. Po i vihet kazma një pune shumëvjeçare”.

Kështu deklaroi për mikrofonin e ABC news një nga pedagogët marshues në protestën kundër vendimit të këshillit të ministrave që ia kalon Kopshtin Botanik Bashkisë së Tiranës.

“Ne nuk e kemi idenë ku do venë ata njerëz që punojnë atje, si do i mbajnë në punë? Pedagogët prej 20-30 vitesh ku do punojnë? Ne duam vetëm një gjë, që administrimi i Kopshtit botanik, të anulohet, do depozitojnë dhe një tjetër padi, që të mos na thonë që atë gjë që ne e kemi ta bisedojmë është qëllim mbrëvajtje akademike”. /abcnews.al

PROTESTE-PER-KOPSHTIN-BOTANIK.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela15:11 | 28/10/2019

Në prag të seancës së radhës në Gjykatën Administrative të Apelit studentë e pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës një pjesë të Kopshtit Botanik. Ata thonë se kopshti duhet t’i mbesë fakultetit dhe vendimin do ta kundërshtojnë me çdo formë.

Braktisën auditorët dhe dolën në oborr.

Rreth një orë një pjesë e studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të administratës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës protestuan kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha tokë të Kopshtit Botanik.

Pedagogë e studentë kërkojnë që Kopshti Botanik të jetë në shërbim të procesit mësimor, ndërsa shprehen se qeveria vendosi t’ja kalojë bashkisë pa transparencë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave sipas pedagogëve bie në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. Ata shprehen se do ta kundërshtojnë me çdo mjet.

Të martën në Gjykatën Administrative të Apelit do të mbahet seanca e radhës për këtë çështje. Ndërsa pedagogë e studentë do të marshojnë drejt gjykatës dhe vendimin do ta presin në hyrje të godinës.

Më 9 tetor Gjykata Administrative e Apelit shtyu seancën për më 29 tetor pasi palët nën akuzë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit nuk u paraqitën.

PEDAGOGET-PROTEST-PARA-GJYKATES.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela15:01 | 09/10/2019

Shtyhet seanca gjyqësore për Kopshtin Botanik, ku munguan palët e akuzuara si bashkia e Tiranës dhe ministria e Arsimit. Dhjetra të rinj e pedagogë ishin të pranishëm në ambientet e jashtme të Gjykatës Administrative të Apelit. Seanca e radhës u vendos për më datë 29 tetor.

Me dhjetra studentë, pedagogë dhe drejtues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, iu drejtuan gjykatës Administrative të Apelit për të kërkuar shfuqizimin e një Vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 17 korrik për tjetërsimin e 13 ha tokë të Kopshtit Botanik.

Padia ishte bërë ndaj Bashkisë së Tiranës, përmes të cilit i kalon në pronësi asaj Kopshtin Botanik.

Me pankarta në duar, të rinjtë qëndruan për gati një orë para mabienteve të jashtme të gjykatës. Në të njëjtën kohë të pranishmë ishin edhe forcat e policisë.

Lajmin  për shtyerjen e sancës gjyqësore e dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku.

Ky tjetërsim i pronësisë së Kopshtit Botanik sipas studentëve prek drejtpërdrejt procesin mësimorë.

“Studentët kryejnë praktika dy javore aty dhe Kopshti Botanik dhe është nga të paktat laboratore që kemi”.

Në mbështetje të Fakultetit të Shkencave të natyrë ishte edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

I menjëhershmë ka qenë edhe reagimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ai tha se projekti i Bashkisë është në mbrojtje të këtij kopështi, ashtu si shumë projekte të tjera.

Ndërkohë, Asambleja e Personelit Akademikt të fakultetit të Shkencave të Natyrës ka kërkuar prezentë të shtuar të studetëve, pedagogëve dhe të qytetarëvë për seancën e radhës së datës 29-tetor që do mbahet në gjykatën Admistrative të Apelit. /ABC News Albania 24/7

VELIAJ-PER-KOPSHTIN-BOTANIK.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela12:18 | 09/10/2019

Nuk ka vonuar reagimi i kryetarit të Bashkisë Tiranë për kundërshtitë nga përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës ndaj VKM-së që i hap rrugë ndërhyrjeve në Kopështin Botanik. Veliaj ka akuzuar Rektorin e Universitetit të Tiranës, që sipas tij është pjesë e një skemë korruptive.

“Ju garantoj ata që duan të bëjnë shkence, se jo vetëm do keni mundësi të bëni shkencë, por do keni më shumë hapësirë, kjo bashki me financa modeste mobilizon edhe të tjerët të që të japin një dorë. Ata që duan të bëjnë shkencë e s’janë matrapazët e bandës së Mynirit, janë të mirëpritur, në vend të na sillnin marrëveshjen na sollën fletërrufe, nën siglën e një partie. Rektori të mbledh për pronë, jo për shkencë e studime, as një mesazh që mirëpret studentët.Për ata që duan të bëjnë shkencë i mirëpres. Rektori i përket të kaluarës është pjesë e një skeme korruptive që u vërtetua edhe me tenderin e parë dhe do vazhdojë ta mbylli edhe këto muaj që i kanë mbetur… ta harrojë sa të jem unë kryetar bashkie s’do lejoj zgëqe në kryeqytet. Kopshti botanik s’është monpol i Mynyrit, por edhe i qytetarëve të Tiranës”. /abcnews.al

 

proteste-1280x606.jpg
Autor E11:39 | 09/10/2019

Ndërkohë që Gjykata Administrative shqyrton padinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ndaj Bashkisë së Tiranës për vendimin e marrë në korrik, përmes të cilit i kalon në pronësi asaj Kopshtin Botanik, një numër i madh pedagogësh dhe studentësh kanë dalë në protestë në ambientet para godinës.

“Jemi të shqetësuar sepse është një aset i krijuar në 50 vjet dhe ka vlera të jashtëzakonshme. Kalimi në pronësi të pushtetit lokal krijon një rrezik për menaxhimin e kësaj prone”, shprehet njëri prej pedagogëve.

“Studentët kryejnë praktika dy javore aty dhe Kopshti Botanik dhe është nga të paktat laboratore që kemi”, u shpreh një prej studentëve protestues.

Bëhet fjalë për 13 hektarë tokë të Kopshtit Botanik që ka kaluar nga pronësia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës tek Bashkia e Tiranës.

 

Ndërkohë, në një reagim kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se projekti i Bashkisë është në mbrojtje të këtij kopështi, ashtu si shumë projekte të tjera, duke shtuar se është PD ajo që ka kryer vjedhje.

“Vetë PD ka vjedhur një pjesë të kopshtit dhe ka hedhur beton. Në fakt ne e garantojmë këtë ruajtje. Bashkia po e transformon kopshtin në fuqi të madhe mbjellëse.

Punët e bashkisë janë nga më të mirat. Ne sjellim sensibilizim. Dhe shumë mirë që këto projekte i kanë kaluar bashkisë. Ata që duan të bëjnë shkencë dhe nuk janë matrapazët e Mynyrit janë të mirëpritur. Mynyri me shokë kërkon të marrë pesë mijëlekshin e nuseve. Unë di të ndaj ata që marrin pesëmijë lekshet e nuseve për kopshtion botanik, nga shkencëtarët”-u shpreh ai. /abcnews.al/

luciano-boci.jpg
nev ila11:28 | 09/10/2019

“Edi Rama dhe Erion Veliaj me VKM speciale po grabisin 15 HA të Kopshtit Botanik, ku do të ndërtojnë kulla betoni”.

Denoncimi vjen nga selia e Partisë Demokratike.

Ish deputeti Luçiano Boçi deklaron se ky vendim nuk është konsultuar me Rektoratin, Senatin, dekanatin, asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor.

Sipas Boçit ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës. Ky ligj sipas tij nuk lejon transferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj.

Kjo vjedhje me VKM speciale, eleminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik. Në vend që të rrisë financimin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Edi Rama, përkundrazi, i heq të drejtën e pronësisë. Në vend që t’i ndihmojë për të ndërtuar laboratorë shkencorë për procesin mësimor, Rama i eleminon laboratorin më të madh natyror për të ndërtuar dhe për të pastruar paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vend t’i japë  frymëmarrje Universitetit, Rama godet autonominë dhe lirinë akademike të tij me harbutëri dhe padrejtësi. Vendimi është marrë nga Rama – Veliaj në mënyrë arbitrare dhe arrogante, pa pyetur as Rektoratin e universitetit, as Senatin, as dekanatin, as asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor që janë ligjërisht pronarët e vërtetë dhe ligjorë të Kopshtit Botanik. Asnjë konsultim paraprak nuk është bërë me ta, siç pretendohet në deklaratat e Bashkisë Tiranë. Asnjë dakortësi nuk është dhënë  për këtë grabitje. Madje pedagogët e studentët e kanë kundërshtuar me forcë rrëmbimin e kësaj prone, duke përballur çdo  presion apo joshje që u është bërë“, deklaroi Boçi./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono