Zyrtari i lartë i DASH: Qeveria është legjitime

schedule17:28 - 9 Prill, 2019

schedule 17:28 - 9 Prill, 2019

Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, deklaroi sot në Tiranë që qeveria është legjitime dhe se do të ishte një fatkeqësi nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet e Qershorit. Zyrtari amerikan i bëri deklaratat në një bashkëbisedim me një grup gazetarësh. Ndërsa në takimin me kreun demokrat, Lulzim Basha, mësohet se Palmer ka dënuar djegien e mandateve parlamentare nga opozita.

Edhe pse u fol për një platformë që mund të ndihmonte vendin nga dalja e krizës, zëvendësndihmës sekretari i Byrosë për Çështjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer mohoi të ketë udhëtuar drejt Tiranës për të negociuar apo zgjidhur krizën.

Kjo nuk e ndaloi zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit të komentojë mbi situatën politike të krijuar pas djegies së mandateve të opozitës, veprim të cilin nuk e sheh si zgjidhje.

“Qeveria është legjitime. Ne do të vijojmë bashkëpunimin dhe kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin përpara drejt Europës. Për këtë duhet të vijojnë edhe reformat, për më tepër ajo në drejtësi. Nuk e shoh si përgjegjësi të qeverisë që të bindë opozitën që të jetë pjesë e zgjedhjeve, por është detyrë e opozitës që ta bëjë këtë”, tha ai.

Palmer ka deklaruar se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e Qershorit dhe se do të ishte një fatkeqësi nëse opozita nuk do të marrë pjesë.

“Opozita duhet të ketë një platformë politike atraktive, kandidatë të fortë që të fitojë zgjedhjet. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit”, u shpreh Palmer.

Sa i përket rrezikut të influencës Ruse, Palmer mësohet të ketë deklaruar se Shqipëria është një target i vështirë për Rusinë.

Ky takim i Matthew Palmer me gazetarët ka ardhur pas atij të një dite më parë me kryeministrin e vendit, Edi Rama, i cili në përfundim të takimit, përmes rrjetit social Twitter, deklaroi se bashkëbisedimi i frytshëm I gjeti në dakordësi të plotë lidhur me “marrëdhëniet bilaterale, integrimin e Shqipërisë në BE port edhe situatën politike në vend”.

Pas takimit me gazetarët, zyrtari i DASH iu drejtua selisë blu ku për rreth një orë diskutoi me kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili në dalje, nuk preferoi të komentonte përmbajtjen e diskutimit, por burime nga kjo seli bëjnë me dije se Palmer nuk ka kundërshtuar axhendën e opozitës, por ka vlerësuar si të dëmshëm daljen nga Parlamenti pasi krijon precedent që mund të imitohet nga opozitat e vendeve të rajonit si Serbia apo Mali i Zi.

Të njëjtat burime konfirmojnë për ABC News se kryedemokrati Basha, lidhur me zgjedhjet, ka deklaruar se është i gatshëm të futen në garë, në momentin që krijohen kushtet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.

Kryedemokrati nga ana e tij ndau një status në rrjetin social Twitter ku shkruan se ka patur një diskutim të hapur dhe konstruktiv me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën në vend, ku mungon Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë, ku mbizotëron pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike./abcnews.al