Pas takimit të mbajtur në Tiranë, Ndihmës sekretari i Byros Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit në SHBA, Todd D. Robinson, zhvilloi një vizitë edhe në Kosovë.
Zyrtari amerikan u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Në konferencën e përbashkët për mediat, Robinson nënvizoi se SHBA ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjen e saj për të ndërtuar struktura të rëndësishme të sigurisë dhe drejtësisë.
“Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë, për atë që po bëni ju, për atë që policia po bën, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e kosovarë, mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme. Dhe porosia ime për ta dhe për të gjithë ju do të ishte që SHBA janë këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar struktura jetike të sigurisë dhe të struktura gjyqësore të drejtësisë. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për një Kosovë më të fortë, më transparente në të ardhmen për qytetarët e rëndomtë të Kosovës. Mezi pres për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për të vizituar më shumë, për t’u takuar edhe me koleget tuaj në qeveri dhe në sektorin gjyqësor”, tha Robinson.
Nga ana e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare INTERPOL.
Sipas saj, ky anëtarësim do të kontribuonte në rritjen e kapaciteteve të vendit duke përmirësuar përgjigjen institucionale ndaj krimit dhe duke garantuar siguri publike për secilin qytetar të vendit.
/abcnews.al/