Zyrtarët dhe ligjvënësit po paralajmërojnë amerikanët që të mos përdorin Tiktokun, një aplikacion popullor për ndarjen e videove që është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, duke përmendur shqetësimet e privatësisë dhe sigurisë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të mërkurën se Uashingtoni është “angazhuar në një vlerësim të vazhdueshëm” për të mbrojtur privatësinë e qytetarëve amerikanë dhe sigurinë kombëtare të SHBA, kur u pyet nëse qeveria amerikane po mendon të ndalojë aplikacionin TikTok.
“Ne duam të sigurohemi që Partia Komuniste Kineze nuk ka një mënyrë për të hyrë me lehtësi” në të dhënat e qytetarëve amerikanë, u tha sekretari Pompeo gazetarëve gjatë një konference shtypi në Departamentin e Shtetit. “Pra, ajo që do të shihni nga administrata është ndërmarrja e veprimeve që ruajnë dhe mbrojnë atë informacion dhe mohojnë qasjen e Partisë Komuniste Kineze në informacionin privat që u përket amerikanëve.”
Komentet e sekretarit Pompeo u bënë në të njëjtën javë me ato të drejtorit të FBI-së, Christopher Wray, i cili i quajti aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga Kina si “kërcënimin më të madh” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Ai tha se zyra e tij hap një çështje kundër-zbulimi të lidhur me Kinën çdo 10 orë dhe ka më shumë se 2,000 raste aktive në shqyrtim.
Disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje për një ndalim më të kufizuar të TikTok tani që do të prekë anëtarët e ushtrisë.
“I bëra thirrje Departamentit të Mbrojtjes të parandalojë përdorimin e TikTokut nga ushtarët dhe marinarët e rinj, por ky kërcënim nuk është i kufizuar vetëm për anëtarët e shërbimit tonë”, tha senatori republikan Tom Cotton, i cili është anëtar i komisionit të Senatit për Inteligjencën.
“Do të inkurajoja çdo prind që të marrë parasysh nëse duhet t’i lejojnë fëmijët e tyre të shkarkojnë TikTokun në pajisjet e tyre dhe të mendojmë nëse duam ta lejojmë atë”, tha senatori Cotton.
Sekretari Pompeo gjithashtu lavdëroi të mërkurën kompanitë amerikane të mediave sociale që kohët e fundit ndaluan përgjigjen ndaj kërkesave për të dhënat e përdoruesve nga autoritetet e Hong Kongut pas miratimit të ligjit të ri të diskutueshëm të sigurisë kombëtare të Kinës.
“Dua të falenderoj kompanitë Google, Facebook dhe Twitter për refuzimin e dorëzimit të të dhënave të përdoruesit qeverisë së Hong Kongut – kompani të tjera duhet t’i ndjekin këta shembuj dhe të bëjnë të njëjtën gjë,” tha sekretari Pompeo.
Të martën, kompania TikTok tha se kishte vendosur të ndalonte operacionet e aplikacionit në Hong Kong “pas ngjarjeve të fundit”.
Por mbetet e paqartë kur TikToku – i cili është në pronësi të kompanisë së re ByteDance me bazë në Pekin – do të dalë nga Hong Kongu, dhe nëse kompania mëmë ByteDance planifikon ta vërë versionin e saj kinez të aplikacionit – Douyin – në dispozicion të përdoruesve të Hong Kong-ut.
Vendimi i TikTokut për t’u larguar nga Hong Kong vjen pasi aplikacioni përpiqet të distancohet nga Partia Komuniste Kineze. TikToku ka thënë se qendrat e tij të të dhënave janë të vendosura tërësisht jashtë territorit të Kinës, dhe se asnjë prej këtyre të dhënave nuk i nënshtrohet ligjit kinez.
Kompania aktualisht po kalon në një inspektim nga Komisioni për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara, i cili ka fuqinë të anulojë blerjen e kompanisë Musical.ly 2017, versioni perëndimor i aplikacionit nga TikToku. Nuk ka një afat kohor për përfundimin e hetimit.
Zyra e Kinës në Hong Kong
Ndërkohë, Kina hapi zyrën e saj të sigurisë kombëtare në Hong Kong të mërkurën, një pjesë e rëndësishme e mbikëqyrjes së re të ashpër të Pekinit ndaj qytetit gjysmë-autonom.
Sipas ligjit të ri të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, kushdo që besohet se po kryen terrorizëm, separatizëm, akte për përmbysje të pushtetit shtetëror ose bashkëpunim të fshehtë me forcat e huaja mund të përballet me burgim të përjetshëm. Analistët ligjorë thonë se kjo masë i jep fund në mënyrë efektive lirive politike që i lejuan banorët e Hong Kongut të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike dhe ndihmuan në shndërrimin e territorit në një qendër financiare ndërkombëtare.
“Mendoj se kompanitë e teknologjisë, ashtu si gjithë të tjerët, janë duke parë dhe vëzhguar sesi do të ndikojë ky ligj i ri mbi ta. Mendoj se ata do të vlerësojnë të mirat dhe të këqijat e qëndrimit në tregun kinez përkundrejt rreziqeve etike dhe të sigurisë, të cilat duhet ti shqyrtojnë në dritën e këtij ligji të ri”, tha analistja politikës në Institutin e Paqes, Patricia Kim.
Zonja Kim tha se Kina nuk ka gjasa ta ndryshojë kursin megjithë kritikat nga Perëndimi dhe masave ndëshkuese nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse Pekini e sheh ligjin e ri të sigurisë kombëtare si thelbësor për ruajtjen e kontrollit mbi Hong Kong, si dhe për të luftuar çdo kërcënim ndaj autoritetit të Partisë Komuniste të Kinës.
Shqyrtimi nga qeveria amerikane për ndalimin e aplikacioneve kineze të mediave sociale vjen ndërsa India vendosi javën e kaluar të ndalojë TikTokun dhe aplikacione të tjera kineze, duke përmendur “kërcënimin për sovranitetin dhe integritetin”.
Ndalimi paason përshkallëzimin e tensioneve mes Indisë dhe Kinës pas një përplasjeje kufitare mes dy vendeve muajin e kaluar që la të paktën 20 ushtarë indiane të vrarë./VOA/