Zyrtare: Rubin Hebaj vishet kuqezi, firmos për 2.5 vite

schedule15:38 - 19 Janar, 2021

schedule 15:38 - 19 Janar, 2021

Rubin Hebaj zyrtarisht është i Shkëndijës. Sulmuesi shkodran, pas largimit nga Teuta, u kontaktua nga kuqezinjtë dhe prej ditës së djeshme ishte në Tetovë. Parimisht palët e kishin gjetur akordin, ndërkohë që sot sulmuesi kreu vizitat mjekësore dhe nënshkroi.

Më pas erdhi edhe njoftimi: “ KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me Rubin Hebajn. Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite.

I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzale.

Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës.

Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Shqipërisë

Hebaj është përforcimi i parë i Shkëndijës në merkaton e janarit dhe të gjithë në klub i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me fanellën kuqezi”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!