Reginaldo, sulmuesi që ka shkëlqyer në Superiore me Luftëtarin, Laçin dhe më pas me Kukësin u shpall golashënues i kampionatit tonë, sot është prezantuar në një tjetër klub shqiptar. Futbollisti nga Mozambiku ka firmosur me Shkupin, pas eksperiencave të mëparshme në Kazakistan.
Reginaldo në merkaton e janarit ishte opsion edhe për Tiranën, që tentoi ta bindte sulmuesin. 30-vjeçari, pas firmës me Shkupin ka thënë edhe fjalët e para: “Jam shumë i lumtur që do të vesh fanellën e FC Shkupit. Nuk kam shumë njohuri për kampionatin e Maqedonisë së Veriut.
Kam ardhur këtu për ta dëshmuar veten dhe për ta ndihmuar klubin, ku kam gjetur njerëz shumë të mirë, por mbi të gjitha edhe futbollistë kualitativ. Ajo që më shtyu të vij te Shkupi është fakti që mban pozitën e dytë dhe është në garë për të luftuar për titullin kampion.
I dua sfidat dhe kjo do të jetë një sfidë e mirë për mua. Erdha këtu për ta ndihmuar klubin, të shënoj gola dhe të arrijmë ambiciet tona. E di që nuk do të jetë lehtë, por dua të jem edhe unë pjesë e ekipit për ta ndihmuar në këtë arritje.
Kam dëgjuar se Shkupi ka shumë tifozë. Ata duhet të presin shumë nga unë, pasi kam ardhur këtu për të shënuar shumë gola dhe të bëjë asiste. Mezi se pres të fillojmë”. Reginaldo maksimumin e tij e ka pasur te Laçi, kur shënoi 18 gola me fanellën e tyre në kampionat. /abcnews.al