Në ambientet e “Kukës Arena” është prezantuar edhe trajneri Skënder Gega si timonieri i ri i verilindorëve, duke zëvendësuar kështu edhe të larguarin Diego Longo.
Gega rikthehet në Kukës pas një sezoni e gjysmë, duke qenë se në sezonin 2020-2021 drejtoi ekipin në Ligën e Europës dhe në kampionat, duke u larguar pas javës së 11 për shkak të gjendjes shëndetësore.
Kukësi – “Unë kam qenë pjesë e Kukësit, por jo në një periudhë të mirë, jo të Kukësit, por e imja. Është një fjalë që shansin e parë ta shfrytëzosh dhe të mbeten marrëdhëniet e mia që edhe një herë të vijë shansi i dytë. Është përgjegjësi e madhe, ndihem shumë i respektuar. Me punë dhe me korrektësi profesionale asgjë nuk na mungon që Kukësi të shkojë atje ku e meriton.”
Investimet – “Nuk është sekret, përfshirë investimin kolosal për këtë stadium. Kukësi është larg Tiranës, siç është Korça, Saranda apo Vlora. Infrastruktura dhe mbështetja financiare e Kukësit nuk mungon për çdo futbollist profesionist që të vijë këtu.”
Bisedimet – “Çdo gjë do të bisedohet me klubin. Do të ulemi me drejtuesit për të gjetur ku është më e mira. Të shohim me klubin me detaje të shohim grupet që do të jenë. Grupi që vazhdon ta ketë kontratën, ai grup që i ka mbaruar kontrata dhe pjesa tjetër se cili do të vijë.”
Kupat e Europës – “Shpresoj që ne nesër të jemi pjesë për Kupat e Europës, të fillojmë punën për të qenë një klub solid dhe me shumë pretendime.”, përfundoi Skënder Gega.
Gjithashtu në prezantimin e trajnerit në ambientet e “Kukës Arena” është bërë edhe prezantimi i Marsel Braka, i cili tashmë ka blerë aksionet e Bashkisë dhe do të jetë aksioner te Kukësi.