Stefano Pioli është zyrtarisht trajner i Milanit deri në vitin 2022. Rezultatet e kohëve të fundit kishin shtuar zërat për qëndrimin e italianit, edhe pse në media raportohej për mbylljen e marrëveshjes me Ralf Rangnick. Kjo pistë ra ditën e djeshme, pasi gjermani refuzoi të ishte thjesht drejtor teknik. Kështu. Milani nënshkroi me Piolin dhe CEO i kuqezinjve ka treguar se pse e morën këtë vendim. Vetë trajneri ka dhënë një mendim, sikurse edhe Paolo Maldini
GAZIDIS – “Ky nuk është një vendim i bazuar në fitoret e fundit, por bazuar në mënyrën se si Stefano ka ndërtuar frymën e grupit, mënyrën se si i ka përmirësuar lojtarët dhe lojën në ekipin, mënyrën se si e ka përqafuar vizionin tonë, mënyrën si e ka përfaqësuar veten dhe vlerat e klubit”, është shprehur CEO i Milanit për faqen zyrtare të klubit.
PIOLI – “Jam i lumtur dhe krenar për besimin që kam marrë nga Milani. I falënderoj të gjithë, përfshirë tifozët tanë që në mungojnë në stadium, por që gjithmonë i kemi pranë. E ardhmja jonë është sot dhe duhet të jemi të përqendruar, të vendosur të bashkuar dhe të luajmë si një ekip. Jemi në fillimin e një rruge të jashtëzakonshme. Nëse vazhdojmë e punojmë kështu, do të rritemi dhe do të jemi gjithmonë e më konkurrues”, u shpreh Pioli.
MALDINI – “Stefano u bë trajneri ynë në një periudhë të vështirë. Ne e kemi thënë gjithmonë se do duhej kohë për të parë rezultatet e punës së tij dhe tani kemi provat që kualiteti dhe profesionalizmi paguhen gjithmonë. Stefano është njeriu i duhur për të drejtuar ekipin që duam: të suksesshëm, të ri dhe të uritur”, ka deklaruar legjenda e Milanit. /abcnews.al