Befasia e radhës te Kukësi. Pas Bruno Telushit, i cili ishte afruar gjatë kësaj vere dhe u largua drejt Neftchi Baku në Azerbajxhan, një tjetër futbollist i rëndësishëm i formacionit të verilindorëve largohet.
Bëhet fjalë për Emiljano Mustën, anësorin që firmosi para pak kohësh rinovimin edhe për dy vite me Kukësin. Gjithsesi ai nuk do të jetë pjesë e nënkampionëve për sezonin e ardhshëm, pasi ka arritur marrëveshjen për ndërprerjen e kontratë dhe është lojtar i lirë.
Kukësi e ka njoftuar diçka të tillë përmes komunikatës së mëposhtme: “Emiljano Musta nuk është më pjesë e Kukësit! Mbrojtësi nga Elbasani ka mbyllur sot aventurën e tij me skuadrën tonë. Pas një diskutimi mes klubit dhe futbollistit, u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontratës.
Klubi i Kukësit e falënderon Emiljano Mustën për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit dhe i uron suksese në të ardhmen. Faleminderit Emiljano!“, lexohet në komunikatën e klubit kuksian.
Një vendim që është pritur keq nga tifozët e Kukësit. Këta të fundit nuk janë dakord me largimin e 28-vjeçarit nga Elbasani dhe kanë kritikuar klubin për ndërprerjën e bashkëpunimit me lojtarin. /abcnews.al