Zyrtare: Kukësi mbush xhepat, Eze firmos në Katar dhe “mbulohet” me dollarë

schedule09:15 - 31 Maj, 2021

schedule 09:15 - 31 Maj, 2021

Siç u konfirmua ditën e djeshme Patrick Eze është larguar nga Kukësi pas vetëm një sezoni, ku mundi të jetë një nga shënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore me 15 gola. Nigeriani ra shpejt në radarin e disa klubeve dhe Kukësi vendosi ta shesë, siç e njofton në njoftimin zyrtar.

Al Ahli do të jetë klubi i ri i Eze. Ai nënshkruan për një sezon dhe do të përfitojë 500 mijë dollarë, ndërkohë që në rast se Al Ahli do ta mbajë edhe sezonin e dytë, atëherë ai do të përfitojë 750 mijë dollarë.

Një kontratë shumë e mirë për sulmuesin, i cili nga informacionet e siguruara nga abcnews.al ka edhe bonuse të tjera, duke nisur nga titulli kampion që i jep atij 150 mijë dollarë ekstra, e për të vijuar me përfitime më të ulëta për vendet më poshtë në renditje.

Ndërkohë edhe Kukësi nuk del duarbosh nga ky transferim sepse fiton plot 150 mijë euro për një lojtar, të cilin e siguroi falas në verën e shkuar. Al Ahli është një nga skuadrat më të mira në Katar dhe sezonin e fundit u rendit në vendin e pestë.

NJOFTIMI I KLUBIT – Patrick Friday Eze nuk është më pjesë e Kukësit. Klubi i Kukësit ka arritur marrëveshje me klubin nga Katari, Al Ahli për shitjen e futbollistit nigerian. Eze u bashkua me Kukësin në verën e vitit të shkuar dhe arriti të shënonte një gol në Europa League dhe 15 gola në Kategorinë Superiore. Klubi i uron suksese Patrick Ezes në aventurën e tij të re. Faleminderit Eze! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!