Zyrtare: Kukësi e nis merkaton me një mbrojtës kombëtareje

schedule14:14 - 22 Janar, 2021

schedule 14:14 - 22 Janar, 2021

Kukësi ka zyrtarizuar afrimin e parë dhe bëhet fjalë për një lojtar që luan në repartin e mbrojtjes. Rolandas Baravykas, anësor i krahut të djathtë, i cili është pjesë e kombëtares së Lituanisë, ka nënshkruar për 18 muaj dhe do jetë nën urdhrat e trajneri Rraman Hallaçi në ndeshjet në vijim.

“Rolandas Baravykas është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mbrojtësi lituanez, ka firmosur ditën e sotme të merkatos kontratën me klubin tonë deri në verën e vitit 2022, duke u bërë futbollisti më i ri i Kukësit.

Mbrojtësi 25-vjeçar vjen nga kampionati qipriot i futbollit dhe është prezantuar sot në zyrat e klubit, teksa do të bashkohet menjëherë me ekipin në stërvitje. Baravykas është njëkohësisht edhe futbollist i kombëtares lituaneze të futbollit duke u aktivizuar në 20 ndeshje e duke shënuar 1 gol.

Ai ishte në “Air Albania” edhe në ndeshjen që kombëtarja shqiptare luajti ndaj Lituanisë, por për arsye shëndetësore nuk u aktivizua.  Mbrojtësi lituanez ka luajtur me ekipe si Altantas e Zalgiris ndërsa së fundmi është aktivizuar me ekipin e Nea Salamis në Qipro. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mbrojtësit Baravykas”, shkruhet në njoftimin e Kukësit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!