Zyrtare: Huazim deri në fund të sezonit, Kukësi afron talentin boshnjak

schedule13:56 - 27 Janar, 2021

schedule 13:56 - 27 Janar, 2021

Numan Kurdic nga dita e sotme është zyrtarisht pjesë e Kukësit. Mbrojtësi është 21 vjeç dhe vjen te verilindorët në formën e huazimit deri në fund të sezonit nga klubi boshnjak i Sarajevos.

Kurdic prej ditësh është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës, por një problem me datën e fundit të huazimit të tij te Novi Pazar rrezikoi seriozisht kalimin e tij te Kukësi.

Fatmirësisht, siç abcnews.al raportoi që në mbrëmjen e djeshme gjithçka është zgjidhur dhe mbrojtësi është federuar sipas të gjitha rregullave dhe do jetë i gatshëm për trajnerin Josa që në ndeshjen e radhës.

POSTIMI I KUKËSIT – Numan Kurdic është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mbrojtësi boshnjak, vjen në formë huazimi nga klubi i FK Sarajevos dhe do të jetë pjesë e skuadrës sonë deri në fund të sezonit. Mbrojtësi 21-vjeçar është aktivizuar së fundmi në kampionatin serb me ekipin e Novi Pazar, ndërkohë që është aktivizuar edhe me Sarajevon.

Kurdic stërvitet prej disa ditësh me skuadrën tonë, duke u njohur me ambientin dhe futbollistët, por problem ishte dokumentacioni. Së fundmi, klubi ka arritur të zgjidhë problemin dhe Kurdic do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mbrojtësit Kurdic!  Dobrodosao Kurdic! /abcnews.al