Ky 62-vjeçar peshon rreth 135 kilogram dhe mbipesha kishte filluar t’i shkaktonte probleme shëndetësore. Avniu kishte provuar mënyra të ndryshme për të humbur kilogram, por pa rezultat.
“Ndjeja lodhje, këputje, nuk isha mirë, ndjeja siklet në trup. Kam ecur, kam bërë vrap. Lash vrapin mora 35 kg, abuzoja me ushqimin. Nëse do të mallkosh dikë thuaj marrsh kile. Të mbash 50 kg më shumë mbi kurriz çdo ditë nuk është kollaj”, tha ai.
Përballë shqetësimeve që kishte mjekët i këshilluan reduktimin e volumit të stomakut përmes ndërhyrjes kirurgjikale. Operacioni u krye në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për herë të parë në një spital publik në vend, përmes teknikës miniinvazive, pasi kirurgjia e hapur mund t’i shkaktonte më tepër dëme se përfitime.
“Është fjala për një rezeksion, për heqjen e një pjese të stomakut te një person që vuante nga obeziteti morbid, një sëmundje metabolike që sjell shëndoshje të tejskajshme. Obeziteti kishte filluar të komprometonte aparatin kardiovaskular, frymëmarrjen dhe për pasojë e kishte të nevojshme ndërhyrjen ku mund të realizohej një dobësim progresiv i pacientit për ta rikthyer në peshë normale. U realizua në rrugë miniinvazive përmes laparaskopisë”, shton ai.
Kjo teknikë sipas mjekëve shmang komplikacionet dhe ndihmon në rikuperim më të shpejtë të pacientit.
“Në rastin në fjalë ka benefit gjigand në kuptimin që pacienti me masën e tij në kirurgji të hapur do të kishte riskun e një morbiditeti perioperator, komplikacione të larta. Me laparaskopi miniinvazive, ka 4 plagë të vogla jo më tepër se 1 cm që e ulin riskun e komplikimeve. Le të themi presim rezultate të mira që muajin e parë, optimale 5-6 muaj nga ndërhyrja”, tregon më tej Avniu.
Ndërsa lexon sugjerimet e mjekëve për stilin e jetesës që tashmë duhet të ndjekë 62 vjeçari thotë.
“Tani ndjehem shumë më mirë se isha, që nga frymëmarrja, se të liron të gjitha stomaku. Do ia lemë kohë, por jam shumë herë më mirë seç isha”, përfundon 62-vjeçari./abcnews.al