Zvicrës nuk i mjafton goli i Granit Xhakës për fitore në Evropian

schedule16:28 - 27 Mars, 2019

schedule 16:28 - 27 Mars, 2019

Granit Xhaka nuk mjaftoi për fitoren e Zvicrës në eliminatoret e Evropianit, ndaj Danimarkës. Italia dhe Spanja arritën suksese të lehta. Mund të shënosh edhe bukur, mundet dhe të kryesosh dy apo tre me zero, por sërish të mos fitosh.

Kjo i ndodhi Zvicrës, së cilës nuk i mjaftoi goli për kopertinë nga kapiteni Granit Xhaka për të mundur Danimarkën, në eliminatoret e Evropianit. Edhe pse u luajt në shtëpi, në stadiumin “Sankt Jakob-Park” të Bazelit, zviceranët nuk ia dolën.

Habia e madhe ishte se kryesuan 3-0 deri në minutën e 84-ët, por danezëve u mjaftuan vetëm 9 minuta për të barazuar. Remo Frojler shënoi së pari për Zvicrën, pastaj Xhaka në pjesën e dytë, e më tej, Brel Embolo.

Mrekullia e Danimarkës, siç mund të quhet me plot gojën, nisi me rrjetën e realizuar nga Matias Jorgensen në të 84-ën. Kjo i dha zemër ekipit të drejtuar nga trajneri norvegjez Hareide, shënuan golin e dytë me autor Kristian Gytkjer, ndërsa barazimi erdhi në sekondat e fundit.

Ai u arrit nga Henrik Dalsgard, dhe ishte shpërblimi i merituar për Danimarkën që luftoi për shumë se vendasit, e gjuajti më shumë herë drejt portës e më shumë në kuadrat.

Nëse Zvicra gaboi, nuk mund të thuhet kjo për dy emra të mëdhenj. Spanja, ish-kampione e dyfishtë e Evropës, triumfoi 2-0 në fushën e Maltës, në një ndeshje jo shumë të vështirë.

Pozitive për trajnerin Luis Enrike, që nuk ishte në stol këtë herë për shkaqe familjare, ishte shënimi i të dy golave nga sulmuesi i Atletikos së Madridit, Alvaro Morata, pasi ky kishte nevojë për besim. Italia triumfoi më thellë, 6-0, ndaj Lihtenshtajnit, në një sfidë edhe më të lehtë.

Të besuarit e trajnerit Roberto Mançini e konkretizuan që në pjesën e parë epërsinë që patën në stadiumin “Enio Tardini” të Parmës. Katër herë shënuan para pushimit, me autorë Sensin, Verratin e dy herë Kualjarelën, që u bë shënuesi me moshën më të vjetër në kombëtaren italiane. Pas pushimit, realizuan të rinjtë Moize Kin dhe Leonardo Pavoleti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!