Danimarka siguroi një fitore të artë përballë Zvicrës. Nordikët triumfuan në shtëpi dhe heroi ishte Yussuf Poulsen. Lojtari i Leipzig mori një asist fantastik nga Eriksen, marshoi drejt portës kundërshtare dhe gjeti golin.
Ishte minuta e 84-t dhe miqtë kishin pak kohë për të reaguar. Danimarka ruajti avantazhin, barazoi Irlandën në krye me 12 pikë në Grupin D dhe çoi në 4 diferencën me Zvicrën e vendit të tretë.
Bosnje Hercegovina ia doli përballë Finlandës dhe kualifikimi në Euro 2020 tani është më afër. Ekipi ballkanas fitoi 4-1 në shtëpi përballë skuadrës nordike, që vazhdon të renditet e dyta me dy pikë më shumë.
Italia kryesuese është larg dhe gara për vendin e dytë në Grupin J do të jetë e ashpër deri në fund. Izet Hajrovic dhe Miralem Pjanic (me penallti) shënuan në pjesën e parë dhe vendasit shkuan në pushim me avantazhin e dyfishtë.
Mesfushori i Juventusit shënoi sërish në pjesën e dytë pas një këmbëngulje të madhe. Armin Hodzic vulosi “pokerin”, ndërsa miqtë shënuan golin e vetëm me anë të Pohjanpaolo.
Fitore jetike edhe për Rumaninë, që triumfoi kundër Ishujve Faroe në transfertë. Miqtë zgjidhën gjithçka në pjesën e dytë, aty ku shënuan 3 herë. Kjo fitore i ngjit përkohësisht në vend të dytë në Grupin F me 13 pikë, dy më shumë se Suedia ndjekëse që luan në mbrëmje me Maltën. /abcnews.al
Bosnje Hercegovina – Finlandë 4-1
(Hajrovic 29′, Pjanic (pen) 37, 58′, Hodzic 73′ / Phjanpalo 79′ )
Danimarkë – Zvicër 1-0
(Poulsen 84′)
Ishujt Faroe – Rumani 0-3
(Puscas 74′, Mitrita 83, Keseru 90+4′ )