Zverev fiton turneun final në Londër

schedule09:21 - 20 Nëntor, 2018

schedule 09:21 - 20 Nëntor, 2018

Aleksandër Zverev cilësohet si ylli i ri i madh i tenisit, pas suksesit në Londër. Gjermani 21-vjeçar mundi legjendat Federer e Gjokoviç, duke fituar titullin e fundit të vitit 2018.

Prej shumë vitesh pritej që të ndodhte, ndërsa ishte humbur shpresa. Brezi i ri i tenisit nuk dukej aspak i aftë që të shembte diktaturën e treshes së madhe të epokës, Federer-Nadal-Gjokoviç. Më në fund, ja ku erdhi sfida me emrin Aleksandër Zverev. Njëzetenjëvjeçari gjerman, me origjinë ruse, fillimisht theu Rozher Federerin në gjysmëfinalen e Turneut Final ATP në Londër, ndërsa kulmoi me triumfin ndaj mjeshtrit Novak Gjokoviç. Finalja në Arenën O2 në kryeqytetin britanik ishte më shumë si një paradë e Zverevit, që ia doli në vetëm dy sete, 6-4 e 6-3, madje në vetëm 79 minuta.

I bukur, i ri dhe i talentuar, ndonjëherë i nxituar, por edhe me ndjenjë humori, Aleksandri duket se ka gjithçka për të qenë ylli i ri i madh i këtij sporti. Për habi, ai u vërshëllye fort ndërsa mundi Federerin, por publiku i zgjedhur londinez thjesht ndoqi me habi klasin e 21-vjeçarit ndaj numrit 1 të botës dhe favoritit, Gjokoviç. Një tronditje e vërtetë, dhe thuajse e pabesueshme, nga një lojtar që nuk kishte shkëlqyer kurrë në turnetë e mëdhenj, por që duket se ka mësuar nga trajneri i tij i lavdishëm, Ivan Lendl. Miliona njerëz në të gjithë botën, që ndjekin tenisin, tani mund të jenë të qetë. Veteranët si Federer e Nadal, madje edhe vetë Gjokoviçi, duket se e kanë gjetur pasardhësin e tyre të denjë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!