Zveçla: Qytetarët në veri të mos bien pre e manipulimeve të kriminelëve

schedule18:10 - 26 Maj, 2023

schedule 18:10 - 26 Maj, 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq, kanë hyrë në zyrat e tyre në objektet komunale teksa ka bërë thirrje që qytetarët serbë lokalë të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale për të kundërshtuar.

Mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës-Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë. Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”, shkruan ai.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të jenë në shërbim të qytetarëve të vendit “pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!