Zvarritja e borxheve të “ARMO”-s, eksperti: E pajustifikueshme, bizneseve të vogla u vihet shiriti

schedule21:04 - 25 Maj, 2021

schedule 21:04 - 25 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Një nga pjesët më të errëta historisë së “ARMO-s” lidhet me qëndrimin e Tatimeve , ku kompanitë që kanë vepruar në uzinën e Ballshit janë lejuar të krijojnë miliarda borxhe, pa i shlyer ato ende sot. Kështu, bazuar në raportin e Kontrollit të lartë të Shtetit për Buxhetin Faktik të vitin 2018, si dhe listën prej 30 debitorësh të mëdhenj të publikuar po këtë vit nga Tatimet, kompania që kryesonte është A.R.MO. Siç do të theksohej në raport totali i detyrimeve që kompanitë e lidhura me A.R.M.O kishin deri në 2018-ën ndaj Tatimeve, përbënte 14% të borxhit tatimor të të gjitha bizneseve.  Sektori i karburanteve, kryeson ende sot sa i përket borxhit tatimor.

Shifrat e publikuara nga Tatimet, reflektojnë tolerancën ndaj kompanive të mëdha. Bazuar në “Raportin vjetor për 2020-tën” të Tatimeve, në stokun total të borxheve shënohen 122,5 miliardë lekë, ku borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet përbën 68 përqind të stokut total. Mes këtyre kompanive është edhe “Bankes Petroleum”, me të cilën duket se është gjendur një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve.

“Vetting” kontaktoi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve duke e pyetur për situatën aktuale të borxheve që u detyrohet A.R.M.O, për arsyet përse nuk u kërkua në kohë falimenti i rafinerisë dhe kush negocioi për shtyrjen e tyre.  Ndër të tjera u kërkua informacion nëse pas shitjes së shoqërisë bashkë me borxhet, është ndjekur çështja me pronarët që pasuan. Kjo, nisur edhe nga fati se Gjykata e Apelit rrëzoi ankimimin e tyre duke lënë në fuqi pafajsinë e pronarit të parë pas privatizimit, Rezart Taçit. Megjithatë, përgjigja tregon qartë se pas këtyre pronarëve, që në shumicën e rasteve fshihen pas kompanive “fantazmë”,  pavarësisht detyrimeve marramëndese ndaj shtetit shqiptar, u njihen të drejtat si tatimpagues. Kërkesës së Vetting Drejtoria e Tatimeve i përgjigjet se “subjekti “A.R.M.O” ka detyrime të papaguara ndaj organit tatimor dhe rezulton në listën e subjekteve me barrë siguruese dhe hipotekore” cituar më tej të drejtat e debitorëve:

“Për sa kërkoni informacion mbi vlerën e detyrimeve tatimore të tatimpaguesit, proceset gjyqësore, paditë ndaj administratorëve/pronarëve të mëvonshëm, kërkesë për falimentimin e ‘ARMO-s’, masat dhe vendimet marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në zbatim të nenit 24 dhe 31 të Ligjit Nr.9920., datë 19.05.2008, Për Procedurat Tatimore në RSH, përcaktohet kujt i ofrohet informacion mbi tatimpaguesin dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të  tatimpaguesit. Neni 24 i këtij ligji, ‘Dhënia e informacionit tatimor, i administruar nga administrata tatimore’, u ofrohet vetëm Gjykatave, Prokurorisë, KLSH-së, Autoriteteve të ngjashme të huaja, Institucioneve të pavarura të krijuara me ligj. Neni 31 i këtij ligji, Çdo tatimpagues ka të drejtën e konfidencialitetit për të dhënat e veta tatimore e financiare, të administruara nga administrata tatimore”.

……………

Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!