Zv.presidentja e BKA-së, vizitë në Policinë e Shtetit/ Proda: Forcimi i bashkëpunimit, çelësi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar

schedule12:46 - 16 Qershor, 2025

schedule 12:46 - 16 Qershor, 2025

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një vizitë pune Zëvendëspresidenten e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), znj. Martina Link, e shoqëruar nga  z. Markus Koths dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.

Në qendër të takimit ishte forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Drejtori Proda shprehu vlerësimin për kontributin e BKA-së dhe theksoi:

“Partneriteti ynë është ndërtuar mbi besim dhe transparencë. Bashkëpunimi ynë është dëshmi se krimi i organizuar luftohet vetëm përmes aleancave të forta ndërkombëtare. Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.”

Zëvendëspresidentja Link u shpreh:

“Ju vlerësoj për rezultatet dhe profesionalizmin tuaj. Projekti ORKA është një model bashkëpunimi të suksesshëm, sidomos për shkëmbimin efikas të informacionit në fushën e krimit të organizuar. BKA do të vijojë mbështetjen dhe do të intensifikojë iniciativat e përbashkëta.”

Të dy palët u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit në hetimet financiare dhe sekuestrimin e aseteve të grupeve kriminale. Gjithashtu, Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati kërkoi mbështetjen e BKA-së për trajnimin e stafit në fushën e krimeve kibernetike.

Takimi u pasua me diskutime teknike mes përfaqësuesve të BKA-së dhe strukturave të Departamentit të Policisë Kriminale. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!