Zv/kryeministri britanik Dominic Raab jep dorëheqjen pas akuzave për bullizëm

schedule11:10 - 21 Prill, 2023

schedule 11:10 - 21 Prill, 2023

Zëvendëskryeministri i Britanisë, Dominic Raab ka dhënë dorëheqjen, pas përfundimit të një hetimi mbi akuzat për bullizëm. Dominic Raab ka dhënë dorëheqjen nga postet e tij si sekretar i drejtësisë dhe zëvendëskryeministër.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Raab thotë se ai ndihet “i detyruar të pranojë rezultatin e hetimit” por thekson se raporti nga Adam Tolley KC “i hodhi poshtë të gjitha, përveç dy prej pretendimeve të ngritura kundër meje”.

“Nuk e kemi parë ende raportin, do t’jua sjellim kur ta kemi. Unë gjithashtu besoj se dy gjetjet e tij negative kanë të meta dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për një qeverisje të mirë,” shkruan Raab.

Letra e plotë e dorëheqjes:

Unë po ju shkruaj për tju njoftuar dorëheqjen time, pas marrjes së raportit të dalë nga hetimi i kryer nga Adam Tolley KC. Bëra thirrje për hetim dhe mora përsipër të jepja dorëheqjen, nëse do të konstatohej ndonjë  rast bullizmi. Besoj se është e rëndësishme të mbaj fjalën time.

Ka qenë një privilegj të shërbej si Zëvendës Kryeministër, Sekretar i Drejtësisë dhe si Kancelar. Jam mirënjohës që kam pasur mundësinë të punoj si Ministër në një sërë rolesh dhe departamentesh që nga viti 2015, dhe t’u bëj homazhe shumë nëpunësve civilë të shquar me të cilët kam punuar.

Ndonëse ndihem i detyruar të pranoj rezultatin e hetimit, ai hodhi poshtë të gjitha, përveç dy prej pretendimeve të ngritura kundër meje.

Unë gjithashtu besoj se dy gjetjet e tij negative kanë të meta dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për një qeverisje të mirë.

Së pari, ministrat duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në lidhje me zyrtarët e lartë mbi negociatat kritike të zhvilluara në emër të popullit britanik, në të kundërt parimi demokratik dhe kushtetues i përgjegjësisë  së ministrive do të humbasë. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë gjatë kohës sime si Sekretar i Jashtëm, në kontekstin e negociatave të Brexit mbi Gjibraltarin, kur një diplomat i lartë shkeli mandatin e rënë dakord nga Kabineti.

Së dyti, ministrat duhet të jenë në gjendje të reagojnë mbi informimet për zyrtarët e lartë, në mënyrë që të vendosin standardet dhe të drejtojnë reformën që populli pret prej nesh.

Sigurisht, kjo duhet të bëhet brenda kufijve të arsyeshëm.

Më vjen sinqerisht keq për çdo stres apo ofendim të paqëllimshëm që ka ndier ndonjë zyrtar. Megjithatë, kjo është ajo që pret populli nga Ministrat që punojnë në emër të tyre.

Por ky hetim ka krijuar një precedent të rrezikshëm, pasi do të nxisë ankesat e rreme kundër ministrave dhe do të ketë një efekt drithërues në ata që nxisin ndryshimin në emër të qeverisë tuaj dhe në fund të fundit të popullit britanik.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!