Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në orën 15:00, pritet të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Bazuar në vendimin që ZRrE-ja ka marrë një javë që shkoi, me të cilin ka miratuar të Hyrat Maksimale të Lejuara për KESCO-n në vlerë prej 400 milionë eurosh, tarifat e energjisë elektrike, nga muaji prill, pritet të shtrenjtohen rreth 15 për qind.
Kryesuesi i ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen e javës së kaluar këtë shtrenjtim të rrymës, e ka arsyetuar me rritjen e çmimit të importit, rregullimet që po bëhen në Termocentralin Kosova B dhe inflacionin, raporton KosovaPress.
Fejzullahu, po ashtu ka theksuar se ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të ndodhë te të gjitha kategoritë e konsumatorëve, përfshirë edhe bizneset.
Në komentet që kishte dorëzuar në ZRrE, Qeveria ka propozuar që tarifat e konsumatorëve të amvisërisë të mbeten të njëjta, e rritja potenciale t’i prekë bizneset, veçmas ato të mëdhatë.
Ndërsa, Zyra e Presidencës ka rekomanduar që të mos rriten tarifat dhe ka propozuar që kostoja shtesë e operatorëve, e diktuar nga importi, të mbulohet përmes pakos prej 75 milionë eurosh, të ndara nga Bashkimi Evropian.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë që u mbajt javën e kaluar, kryeministri i Albin Kurti, ka theksuar se janë në pritje të vendimit të ZRrE-së për tarifat e energjisë elektrike.
Edhe KEK-u ka kërkuar që të rritet çmimi i megavatit të energjisë elektrike që ai ia shet KEDS-it dhe KOSTT-it nga 29.5 në 32.5 euro, por që nuk është aprovuar nga ZRrE-ja.
Ndërkaq, sot pas raportimit të Bordit të ZRrE-së në Komisionin për Ekonomi, ky institucion do të mbajë mbledhjen sot pas dite me këtë rend të ditës:
Miratimi i Rendit të Ditës;
2. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme;
3. Shqyrtimi i propozimit të tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit, Operimin e
Sistemit dhe Operimin e Tregut (OST/OT) për vitin relevant tarifor 2023;
4. Shqyrtimi i propozimit të tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSh) për vitin
relevant tarifor 2023;
5. Shqyrtimi i propozimit të tarifave me pakicë për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) për
vitin relevant tarifor 2023;
6. Shqyrtimi i raportit vjetor për vitin 2022./Kosova Press