“Zonja e vjetër” kalon fazën me “rekord”, Juventus i vetmi ekip në Itali që ka luajtur në 22 gjysmë-finale Evrope

schedule10:12 - 21 Prill, 2023

schedule 10:12 - 21 Prill, 2023

Juventus arriti me “vuajtje” gjysmë-finalen e Europa League mbrëmjen e djeshme, teksa pas një barazimi 1 me 1 në Portugali, komplet “fati” i çerek-final u var nga fitorja minimale, 1 me 0 e “bardhezinjve” në Torino javën e shkuar.

Mirëpo, paçka se “vuajti” për të siguruar ecurinë në Evropë, “zonja e vjetër” ka siguruar një tjetër rekord përsa i përket skuadrave italiane, duke u bërë kështu i vetmi ekip në Itali që ka siguruar plot 22 herë prezencën në gjysmë-finalet e një kompeticioni evropian.

Megjithatë, situata nuk është e njëjtë në Evropë, me klubin nga Torino që ndodhen në vendin e 4-rt mes “më të mirave” të “kontinentit të vjetër”, ndërsa “podiumi” plotësohet nga Barcelona, Bayern Munich dhe në “majë” padyshim që ndodhen “galaktikët” e Real Madrid.

“Katalanasit” kanë siguruar plot 26 herë gjysmë-finalet e një kompeticioni evropian, vetëm 2 më pak se “bavarezët” të cilët kanë shkuar plot 28 herë në këtë raund, mirëpo të dy këto ekipe ndodhen larg kryesuesve, me “galaktikët” e Madridit të cilët kanë arritur të sigurojnë plot 37 herë gjysmë-finalet e një kompeticioni evropian.

Ndërkaq, kujtojmë se në raundin tjetër të Europa League, “bardhezinjtë” do të ndeshen me spanjollët e Sevilla me ndeshjen e parë që do të luhet më 11 maj në “Allianz Stadium” të Torinos, ndërsa vetëm 1 javë më vonë spanjollët do të presin “zonjën e vjetër” në mitikun “Ramon Sanchez Pizjuan” për të përcaktuar një nga finalistët e kompeticionit. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!